Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, duke theksuar se nuk ka mbetur asnjë zgjidhje para tyre, tha se ai dhe të gjithë anëtarët e administratës palestineze kanë vendosur që të shkojnë në Gaza, raporton Anadolu.
Abbas mbajti një fjalim para ligjvënësve në Asamblenë e Madhe Popullore të Türkiyes (TBMM) në kryeqytetin Ankara.
Fjalimi 46-minutësh i Abbasit u duartrokit në këmbë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, deputetë dhe të ftuar.
Duke vlersuar qëndrimin e Türkiyes, nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan, në mbrojtjen e të drejtave legjitime të popullit palestinez, Abbas tha se “Do të vazhdojmë të qëndrojmë stoikisht dhe nuk do të braktisim tokat tona”.
“Populli ynë do të dëbojë uzurpatorët atje (në Palestinë) pa marrë parasysh çka të ndodhë”, tha Abbas duke falënderuar Türkiyen, e cila ka dërguar dhjetëra mijëra tonë ndihmë humanitare për popullin palestinez në Gaza.
“Nuk mund të ketë shtet palestinez pa Gazën”, tha Abbas dhe shtoi: “Kriminelët izraelitë të luftës nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar për krimet e tyre”.
– Abbas njoftoi se do të shkojë me gjithë administratën palestineze në Gaza
Mes tjerash, presidenti palestinez Abbas theksoi se populli palestinez qëndron kundër “lëvizjes sioniste” që synon të kontrollojë gjithë rajonin.
“Do të rindërtojmë Gazën dhe shërojmë plagët tona me mbështetjen e shteteve arabe dhe islame, në kuadër të shtetit tonë të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet”, u shpreh Abbas.
Abbas, duke kërkuar mbështetjen e të gjithëve në lirimin e mbi 10 mijë palestinezëve të burgosur në burgjet izraelite, tha: “Punojmë për unitetin e Palestinës, mënyra më e vërtetë drejt fitores kalon nga uniteti. Falënderojmë të gjithë që na mbështesin, duke filluar nga Turqia”.
Më tej, duke theksuar se jeta e asnjërit prej tyre nuk është më vlefshme se e fëmijëve në Rripin e Gazës, tha: “Para nesh nuk ka mbetur asnjë zgjidhje, prandaj unë dhe të gjithë anëtarët e administratës palestineze vendosëm që të shkojmë në Gaza”.