Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj janë lënë pas hekurave nga GJKKO. Seanca gjyqësore ndaj tyre nisi në orën 10:00 dhe togat e zeza caktuan masën e sigurisë “arrest me burg ndaj tyre”.
Dy të shumëkërkuarit e drejtësisë u ekstraduan nga Dubai dhe u vendosën në prangat e autoriteteve shqiptare.
Plarent Dervishajt iu komunikua masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për vrasjet e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, krime të ndodhura në vitin 2005, si edhe për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në vitin 2019.
Ndërsa Julian Meçaj iu komunikua masa “arrest me burg” për atentatin ndaj ish-Prokurorit Arjan Ndoji, humbi jeten shoferi i tij Andi Maloku.
Njoftimi i policisë:
Sillen nga Dubai në Tiranë shtetasit e shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, kapet në Gjermani shtetasi Fabio Ballabani
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në sajë të punës profesionale hetimore dhe gjurmuese të njësive të specializuara pranë Departamentit të Policisë Kriminale, mundësoi sjelljen nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri të personave të shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj.
Struktura e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, organizuan punën dhe realizuan shoqërimin e dy shtetasve për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shtetasi Plaurent Dervishaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Më datë 26.02.2005, në Durrës, shtetasi Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me I. T., L. B. dhe L. R. dyshohet se, kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu, me armë zjarri.
Më datë 27.02.2005, Plaurent Dervishaj, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht E. Sh., I. T., L. B., etj., dyshohet se kanë vrarë shtetasit Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi, me eksploziv.
Ndërsa shtetasi Julian Meçaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Më datë 01.11.2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është gjuajtur disa herë me armë ndaj automjetit të drejtuar nga Andi Maloku (i cili humbi jetën), ku pasagjer ishin edhe A. N. dhe A. L. Nga hetimet, Julian Meçaj është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë.
Gjithashtu, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve intensive të “Fast Albania” me “Fast Gjermani” është bërë e mundur kapja me qëllim ekstradimi i shtetasit në kërkim ndërkombëtar Fabio Ballabani.
Me vendim të Gjykatës Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Fabio Ballabanit është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “goditje ndaj pjesëtarëve të familjes të një personi, i cili kryen një detyrë shtetërore në sistemin e drejtësisë, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, vlerësoi operacionet e strukturave të specializuara të policisë dhe bashkëpunimin me SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë