Të paktën në 27 bashki të vendit janë bërë ndërhyrje në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve gjatë vitit të shkuar me një total prej 9.8 miliardë lekësh apo rreth 98 milionë euro.
Raporti i Performancës i Entit Rregullator të Ujit vlerëson se ishin të paktën 37 investime të raportuara nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve të planifikuara dhe në proces zbatimi.
“AKUK raporton se nga totali i investimeve të planifikuara që janë në proces, vetëm gjatë vitit ushtrimor 2023, janë përfunduar në total 37 investime me vlerën 9.8 miliard lekë të cilat janë shtrirë në 29 Bashki të vendit” thuhet në raport.
Në fakt totali i fondeve të planifikuara për investime në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve ishte më i lartës ku përfshihen fonde buxhetore dhe ato me financim të huaj.
“Në total vlera e planifikuar e investimeve në sektorin UK sipas tabelës nr.9 të mëposhtme për vitin 2023 ka qenë 21,367,246,000 lekë (ose rreth 194.3 milion Euro), nga të cilat 13,938,972 Lekë janë planifikuar për investim nga Qeveria Shqiptare (rreth 65% të totalit) dhe 7,428,274 Lekë nga donatorët e huaj (rreth 35%).
Theksohet fakti se në sektorin e ujësjellës kanalizimeve financohen mjaft projekte, kryesisht në zona rurale, edhe nga agjencia tjetër zbatuese Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), të cilat nuk janë subjekt i këtij raporti” nënvizon ERRU.
I njëjti dokument sjell në vëmendje se financimet e huaja janë ulur ndjeshëm gjatë vitit duke u rishikuar për shkak të procedurave të tenderimit të vonuara.
“Vërehet se gjatë vitit ka patur një rishikim të fondeve me financim të huaj nga 7.37 miliard në 2 miliard lekë. Kjo si rezultat i vonesave në ecurinë e investimeve për shkak të procedurave tenderuese të cilat janë vonuar në kohë.
Referuar vlerave të tabelës rezulton se në sektor janë financuar 88% e investimeve të planifikuara gjatë vitit 2023. Gjithashtu vërehet se investimet në sektor edhe për vitin 2023 vijojnë të jenë të fokusuara në drejtim të furnizimit me ujë dhe jo të kanalizimeve” thuhet në raport.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor