Avokati i 42-vjeçarit Egli Proga, i cili u vra para pak ditësh në Pogradec, ka akuzuar prokurorinë e Korçës si dhe punonjësit e policisë se nuk kanë zbatuar ligjin dhe se kanë kryer disa shkelje proceduriale.
Sipas Kujtim Ibrajt, prokurorja e çështjes ka shpërdoruar detyrën pas ndryshimit të akuzës ndaj autorit Denis Meçe.
“Është prokurorja, në rastin konkret, që udhëheq të gjithë veprimet hetimore. Unë nuk e kuptoj se si prokurorja ka lënë në heshtje të gjithë këto veprime. Si arriti Prokuroria në këtë konkluzion? Kemi një ndryshim tërësor për një vepër penale. Vrasja me dashje është 10 deri në 20 vjet burg, ndërsa vrasja nga pakujdesia është nga gjobë në 5 vjet burg. Sipas mendimit tim, prokurorja është në shpërdorim të pastër të detyrës”, tha Ibraj.
Më tej ai tha se lidhur me vrasjen duhet të ketë të tjerë të akuzuar. Avokati Ibraj tha në rubrikën “Opinion” në Neës24 se nëse për ngjarjen nuk do ishte bërë zhurmë në media, ajo nuk do ishte zbardhur.
“Si ka mundësi që polici ndenji në vendngjarje rreth 30 minuta, dhe nuk njoftonte ambulancën. Si ka mundësi që nga vendi i ngjarjes deri në vendin që është nisur ambulanca janë vetëm 850 metra, si ka mundësi që kjo distancë bëhet për 7 minuta? Veprimet dhe mosveprimet janë të dënueshme, duhet të kemi të tjerë persona që duhet të vihen nën akuzë. Si ka mundësi që të lihet në mes të një qyteti, 850 metra larg spitalit, të lihet në trotuar një qytetar dhe të vdesë”, tha avokati.
Egli Proga humbi jetën më 10 gusht 2024 në Pogradec pasi u dhunua nga28-vjeçari Denis Meçe. Fillimisht u raportua se ai ishte rrëzuar për shkak të dehjes dhe kishte gjetur vdekjen. Një ditë më pas, policia në një njoftim tha se e kishte referuar ngjarjen për vrasje më dashje.
Në gjykatë, prokurorja e çështjes Vasjana Postol ka ndryshuar akuzën ndaj 28-vjeçarit nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia.
Deri tani për ngjarjen është arrestuar Denis Meçe ndërsa masa detyrim paraqitjeje është lënë për Voltan Shulkun, Arian Manellarin dhe Leonidha Guçen.