Agjentët e FBI-së e kanë bastisur dhe kontrolluar shtëpinë e Dmitri Simes në Virxhinia, i cili është një komentator i njohur politik dhe autor i emisionit për çështje aktuale në televizionin shtetëror rus, Channel One, raportoi të premten gazeta Rappahannock News.
Simes tha për këtë gazetë se ndodhet jashtë vendit, por se ndihet i “shqetësuar dhe i habitur” nga aksioni i FBI-së.
Ai tha për agjencinë ruse të lajmeve, TASS, të premten se lajmet se agjentët e FBI-së ndodhën në shtëpinë e tij janë të vërteta, edhe pse ai nuk ishte njoftuar zyrtarisht.
Simes u lind në Moskë më 1947 dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1973. Ai kishte shërbyer si këshilltar joformal i ish-presidentit amerikan, Richard Nixon, dhe kishte udhëtuar rregullisht me Nixonin në Rusi dhe në ish-vendet e tjera sovjetike.
Më 1994, Nixon e emëroi atë kryetar të Qendrës për Interes Kombëtar, e cila në atë kohë quhej Qendra e Nixonit për Paqe dhe Liri.
Simes u largua nga kjo pozitë më 2022.
Ai ishte gjithashtu këshilltar në fushatën presidenciale të Donald Trumpit më 2016 dhe e aranzhoi një fjalim të rëndësishëm për politikën e jashtme më 2016, në të cilin Trumpi shpalosi vizionin e tij për bashkëpunim më të madh me Rusinë.
Emri i Simes u përmend më shumë se 100 herë në një raport të vitit 2019 nga prokurori i përgjithshëm amerikan, Robert Mueller, i cili quhej “Raporti për Hetimin e Ndërhyrjes Ruse në Zgjedhjet Presidenciale të Vitit 2016”.
Simes ishte moderator i një sesioni pyetje-përgjigje me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg më 2023./REL