Kryeprokurori i Gjermanisë ka lëshuar urdhërarrest për një ukrainas të dyshuar për hedhjen në erë të tubacioneve të gazit Nord Stream në Detin Baltik gati dy vjet më parë.
Një zëdhënëse e zyrës së prokurorit polak, Anna Adamiak, konfirmoi të mërkurën se autoritetet gjermane lëshuan një urdhërarresti evropian në qershor për Volodymyr Z, një shtetas ukrainas i cili kishte jetuar në Poloni. Zëdhënësi tha se ai u transferua në Ukrainë në fillim të korrikut, para se të arrestohej.
Identifikimi i autorit të dyshuar shënon një përparim në hetimin afatgjatë për atë që ishte një nga aktet më spektakolare të sabotimit në historinë e Evropës moderne.
Hollësitë e urdhërarrestit u raportuan fillimisht nga gazeta suedeze Expressen dhe një grup mediash gjermane. Expressen e emërtoi të dyshuarin Volodymyr Zhuravlov, 44 vjeç. Ai dyshohet për “sabotim antikushtetues dhe shkaktim të një shpërthimi”.
Zyra e prokurorit gjerman nuk pranoi të komentojë.
Wolfgang Büchner, një zëdhënës i qeverisë gjermane, gjithashtu kundërshtoi të komentojë lëshimin e urdhërarrestit, duke thënë vetëm: “Pavarësisht nga çfarëdo rezultati arrijnë hetimet e tilla, kjo nuk e ndryshon faktin se Rusia po kryen një agresion kundër Ukrainës që shkel të drejtën ndërkombëtare”.
Shpërthimet nënujore të 26 shtatorit 2022, pranë ishullit danez të Bornholm, çanë një tubacion, që përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska kishte bartur 40 për qind të eksporteve të gazit të Rusisë në Evropë.
Rusia kishte ndërprerë tashmë furnizimet përmes Nord Stream 1, kanali kryesor i saj për gaz në Gjermani, përpara se të ndodhnin shpërthimet, në atë që shihej në atë kohë si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj qeverive evropiane për të ulur mbështetjen e tyre për Kievin.
Një tubacion paralel, Nord Stream 2, nuk filloi kurrë të funksiononte pasi Berlini anuloi procesin e miratimit të tij në shkurt 2022, vetëm disa ditë para se Rusia të pushtonte Ukrainën. Nga shpërthimi është dëmtuar edhe tubacioni paralel. Rusia dhe perëndimi akuzuan njëra-tjetrën për një kohë të gjatë se qëndronin pas shpërthimit.
Televizioni publik ARD tha se sulmuesit e dyshuar kishin marrë me qira një jaht me vela gjermane, “Andromeda”, në shtator 2022 dhe e përdorën atë për të lundruar në Detin Baltik. Në korrik 2023, hetuesit zbuluan gjurmë eksplozivi në varkë.
Transmetuesi tha se hetuesit kishin identifikuar dy shtetas të tjerë ukrainas, njëri grua, si të dyshuar të mundshëm. Ata besonin se të dy, të dy zhytës me përvojë, mund të kishin qenë përgjegjës për bashkimin e eksplozivëve në tubacione.
ARD gjithashtu raportoi se deri tani policia dhe prokurorët nuk kishin gjetur asnjë provë se ushtria ukrainase ose shërbimet e inteligjencës ishin përfshirë në sulme. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka mohuar gjithmonë se qeveria e tij ishte e përfshirë.
Suedia dhe Danimarka pezulluan hetimet e tyre për shpërthimet në fillim të vitit 2024, por zyra e prokurorit gjerman vijoi hetimin.
Raportet e mediave thanë se hetuesit gjermanë kishin arritur të mbledhin prova të mjaftueshme për një urdhërarresti kundër Zhuravlov nga një gjyqtar në Gjykatën Federale Gjermane në fillim të qershorit.
Më pas ata iu drejtuan autoriteteve polake me një urdhërarresti evropian.
Adamiak në zyrën e prokurorit polak tha se agjencia “ndërmori hapa për të konfirmuar” se ku po qëndronte Zhuravlov, “gjë që do kishte lejuar ndalimin e tij” dhe transferimin në Gjermani.
Por arrestimi nuk u bë “pasi ai u largua nga territori i Polonisë në fillim të korrikut të këtij viti, duke kaluar kufirin polako-ukrainas”.