Forcat ukrainase thanë se pranuan dorëzimin e grupit më të madh të ushtarëve rusë që nga fillimi i luftës më shumë se dy vjet më parë, teksa ushtria ukrainase ka nisur një sulm ndërkufitar ndaj Rusisë.
Një njësi e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës që vepron në rajonin Kursk të Rusisë mori 102 ushtarakë rusë si robër lufte, sipas një personi me njohuri për operacionin, i cili kërkoi të mos identifikohej sepse çështja është e ndjeshme.
Rusët u kapën të mërkurën në një kompleks të gjerë nëntokësor dhe kishin rezerva të bollshme municionesh dhe furnizimesh, tha personi. Rusia nuk ka komentuar.
Ukraina tani kontrollon 1,150 kilometra katrorë të territorit rus, duke përfshirë 82 fshatra dhe qytete, që nga inkursioni që filloi 10 ditë më parë, i tha komandanti i Përgjithshëm Oleksandr Syrskyi presidentit Volodymyr Zelenskiy në një videoraport të postuar në kanalin Telegram të enjten. Pretendimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh u tha gazetarëve të enjten se SHBA-ja “ende po përpiqej të mësonte më shumë” për objektivat e Ukrainës në ofensivën e saj në Rusi pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin foli me telefon me ministrin ukrainas të Mbrojtjes Rustem Umerov të mërkurën.
Raportet e hershme tregojnë se disa njësi ruse janë ridrejtuar nga Ukraina në zonën e Kurskut për të ndihmuar në frenimin e sulmit ukrainas, tha Singh, duke shtuar se ajo nuk kishte ende një vlerësim nëse linjat e furnizimit të Rusisë në territoret e pushtuara në Ukrainë, përfshirë Donbasin, janë prekur.