Parlamenti i Tajlandës zgjodhi Paetongtarn Shinawatra si kryeministren më të re të vendit të premten, vetëm një ditë pasi ajo u vu në qendër të vëmendjes mes një lufte të paepur për pushtet midis elitave të vendit.
Vajza 37-vjeçare e ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra u zgjodh dy ditë pasi aleati Srettha Thavisin u shkarkua si kryeministër nga gjykata.
Në rrezik për Paetongtarn mund të jetë trashëgimia dhe e ardhmja politike e familjes miliardere Shinawatra, e cila dikur e pandalshme pësoi humbjen e parë zgjedhore në më shumë se dy dekada vitin e kaluar dhe iu desh të bënte një marrëveshje me armiqtë e saj në ushtri për të krijuar një qeveri.
Ajo do bëhet kryeministrja e dytë femër e Tajlandës dhe e treta e familjes Shinawatra, pas tezes Yingluck Shinawatra dhe babait Thaksin, politikanit më me ndikim dhe polarizues të vendit.
Në komentet e saj të para në media si kryeministre e zgjedhur, Paetongtarn tha se ishte e pikëlluar dhe e hutuar nga shkarkimi i Sretthas.
“Unë fola me Sretthan, familjen time dhe njerëzit në partinë time dhe vendosa se ishte koha për të bërë diçka për vendin dhe partinë,” u tha ajo gazetarëve.
“Shpresoj të bëj më të mirën për ta bërë vendin të shkojë përpara. Kjo është ajo që po përpiqem të bëj. Sot jam e nderuar dhe ndihem shumë e lumtur.”
Paetongtarn fitoi lehtësisht me 319 vota, ose gati dy të tretat e deputetëve. Përgjigja e saj pas fitores ishte postimi në Instagram i një fotografie të drekës së saj, oriz me pulë me mbishkrimin: “Vakti i parë pas zgjedhjes”.
Paetongtarn nuk ka shërbyer kurrë në qeveri. Ajo do përballet menjëherë me sfida në fronte të shumta, me ekonominë në rrëmujë, konkurrencën nga një parti rivale në rritje.