Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se shkaktoi zjarrin në Dhërmi pas ndezjes së fishekzjarrëve, arrestohet 28-vjeçari


 

Një 28-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi dyshohet se ndezi zjarrin në Dhërmi.

28-vjeçari dyshohet se gjatë një ngjarjeje në një subjekt privat ndezi fishekzjarrë që shkaktuan edhe flakët që dogjën një sipërfaqe të pyllëzuar me shkurre dhe bimësi të ndryshme.

“Gjatë orëve të para të ditës së sotme, në fshatin Dhërmi, u mor njoftim për një vatër zjarri që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar me shkurre dhe bimësi të ndryshme. Si rezultat i hetimeve dhe falë bashkëpunimit me banorët dhe pushuesit në zonën bregdetare, Stacioni i Policisë Dhërmi arrestoi autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie, shtetasin Leonard Xhameta, 28 vjeç.

28-vjeçari dyshohet se, gjatë një eventi në një subjekt privat në fshatin Dhërmi, ndezi fishekzjarre që shkaktuan zjarrin, duke dëmtuar një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi”, njofton policia.