Vendosni fjalën kyçe....

“I thanë ke ankth, i dhanë një kokërr dhe e përcollën” – Familjarët e 61-vjeçares që vdiq në Korçë akuza mjekëve


Familjarët e një 61-vjeçareje që humbi jetën tre ditë më parë në Korçë kanë akuzuar mjekët për vdekjen e familjares së tyre.

E bija e së ndjerës Tatjana Dajko tha se mamaja e saj shkoi në spital me shtrëngim në gjoks dhe dhimbje në shpatulla por mjekët e kishin përcjellë në shtëpi pasi i kishin dhënë një qetësues për ankthin.

“E ka marrë mamin vëllai në 10 pa 10 e ka çuar në urgjencën e spitalit. Mami kishte shtrëngim të gjoksit dhe dhimbje në mes të shpatullave. E kanë shpënë atje i kanë matur tensionin dhe oksigjenin. I kanë bërë 1 qetësues dhe i kanë vënë një hapje nën gjuhë. Qëndroi 10 minuta shtrirë dhe i thanë ‘ngrihu se erdhi tjetri, ulu te stolat te korridori i urgjencës’. U ul aty priti pak dhe i vajti te dera doktoreshës i tha ‘a do ma matni prapë tensionin?’ Ajo i tha; “ik se nuk ke asgjë! Ke ankth, stres”. Kur doli nga dera e spitalit ajo po ndihej më keq. Kur erdhi në shtëpi tha po ndihem akoma më keq prej ilaçeve, nuk ndihem mirë. E pamë që u bë më keq rreth orës 19 e 30 kemi marrë ambulancën, e pamë që ambulanca po ashtu…morëm makinën tonë dhe e çuam. Sa arritëm te dera e spitalit mamaja ka vdekur. Ajo kishte hemorragji nga hundët, nga goja si mund të thonë ata që ka vdekur për shkaqe të panjohura, natyrale kur ne e kemi paraqitur në 10 pa dhjetë në spital.” – tha Klotina Topulli për korrespondenten e News24 Lorena Kodra.

“Duhet të marrë masat shteti. Mos e pastë fatin asnjë siç e pati mamaja ime nga doktorët. Nuk vuante nga asgjë! Ishte 61 vjeçe, mbushi atë ditë që vdiq. Në spital nuk i bënë asgjë. Kur kam hyrë në 19:30 në spital që mamaja ime sa hyri te dera e spitalit ishte e vdekur ata kanë marrë EKG-në t’ja bënin. Kam bërtitur me të madhe të hapin kamerat, të shikohen. Ku u gjet EKG-ja tani? Pse nuk iu bë kur ishte e gjallë? Nuk i kanë bërë asgjë! E bënë më keq.” – shtoi e bija e viktimës.

E njëjta dëshmi ka ardhur edhe nga i biri i gruas që ndërroi jetë, Anil Dajko. Ai akuzon bluzat e bardha për vdekjen e së ëmës.

“Nëna rrinte me mua. E mora në 10 këtu dhe e çova në spital. E pyeti doktoresha çfarë ke? I tha mamaja ‘më dhemb gjoksi dhe kurrizi’. I matën tensionin dhe oksigjenin. I bënë gjilpërë e ngritën u ul te stolat mamaja pas meje. U ngritëm prapë dhe i tha mamaja; do më matni tensionin prapë?’. ‘Ik, Ik’, i thanë nuk ke gjë, një gjendje ankthi ke’. Duke ardhur rrugës për në shtëpi më tha mua; po më zë më shumë tani, por do të më kalojë. Erdhëm në shtëpi jo më tha po më zë më shumë. Erdhëm në shtëpi do prisnin tortën e ditëlindjes mbesat, ajo sa hyri brenda u këput. Morëm ambulancën, pritëm të vinte, por pas 12 minutash na u tha; jemi në Bulgarec. Pastaj mora makinën time, me sakrificë, e çova në spital. Te dera e spitalit i morën mjetet për mamanë time. Jo nuk bëhet ajo gjë, që t’ja bënin shërbimet si vdiq. Përse e mbajtën në morg kur i kanë vënë ato diagnoza? Vdekje e menjëhershme? Çfarë janë këto që shkruajnë, për të mbuluar plehrat? Unë çuditem, më copëtuan. Çfarë ka nxjerrë ekspertiza? Dua të drejtën e mamasë time. Asnjë mos e ketë këtë fat të mamasë sime.”, tha i biri.