Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Ndal praktikave shkombëtarizuese të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, mbështesim kërkesat e tyre


Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka bërë thirrje për respektimin e kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai shkruan se protesta e shqiptarëve është legjitime dhe se  kërkesat e tyre burojnë nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut që është firmosur nga Serbia.

Kreu i PL-së u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare që i kan garantuar marrëveshjet në fjalë që të veprojnë.

Meta thekson se duhet ndalur diskriminimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në çdo formë si dhe praktikat shkombëtarizuese.

“Partia e Lirisë mbështet me forcë kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Dinjitet dhe Identitet dhe solidarizohet me protestën e tyre legjitime për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur, si dhe të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve dhe Qeverive në Beograd:

Plani dhe Programi për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001;

Marrëveshja për riorganizimin e Trupit Koordinues dhe Rikonfirmimit të parimeve të Marrëveshjes së vitit 2001;

Plani 7 pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë, në tërësi e ka aprovuar më 2013.

I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë garantuar këto marrëveshje të reagojnë, veprojnë dhe ruajnë besueshmërinë e tyre.

Ndalimi i çdo formë diskriminimi të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore të Luginës së Preshevës, heqja dorë nga praktikat shkombëtarizuese si procesi i pasivizimit të adresave, respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve, ndihmon bashkëjetesën ndëretnike atje dhe kontribuon për paqen e stabilitetin në rajon.” – shkruan Meta.