Vendosni fjalën kyçe....

“Të kam taksur një dhuratë” – Zbardhet dëshmia e shefit të Antidrogës së Durrësit: S’e dija që në zarf kishte lekë


Shefi i Antidrogës në Policinë e Durrësit Gazmir Preçi është lënë në burg nga Gjykata e Posaçme.

Në seancë a kërkoi masë më të butë ndërsa ka deklaruar se nuk e dinte se në pako kishte lekë.

Ai u arrestua pak ditë më parë pasi akuzohet se ka shantazhuar me mbyllje të biznesit pronarin e lokali në vendin e quajtur Ura e Dajlanit.

“Kërkoj një masë më të butë, pasi jam baba i tre fëmijëve. Nuk e dija fare se në pako kishte para. Kam shkuar vetëm se më ka kërkuar pronari i biznesit. Nuk e dija se kishte lekë brenda zarfit dhe në momentin e arrestimit kam kërkuar që pakoja të hapet në praninë e avokatit, gjë e cila nuk më është mundësuar.” – ka thënë Preçi para gjyqtarit të çështjes.

Sipas dosjes hetimore, pronarit i janë kërkuar  20 mijë euro, në të kundërt do i mbyllnin biznesin. Është rënë dakord që në momentin e parë të jepen 10 mijë euro ndërsa SPAK dhe AMP ka qenë në dijeni të operacionit dhe çastit të shkëmbimit të lekëve duke i regjistruar eurot që do jepeshin me numër serie.

Në seancë ai ka dhënë një version tjetër të ngjarjes. Sipas Preçit, ai e ka pasur nën hetim pronarin për shkak se dyshohej sipas informacioneve se brenda ambienteve shpërndaheshin lëndë narkotike. Për këtë arsye ka proceduar edhe nipin e pronarit i cili aktualisht ndodhet në burg për shitje lëndësh narkotike.

Sa i takon arrestimit, Preçi ka pohuar se pronari i lokalit ka kërkuar ta takojë duke e marrë disa herë në telefon. Pasi i ka kërkuar takim në zyrë, pronari i lokalit nuk ka pranuar dhe të dy janë takuar në Tiranë pas orarit zyrtar të punës. Pronari i lokalit i ka shprehur shqetësimin se policia e ngacmonte shpesh.

Ndërsa Preçi pretendon se i  ka kërkuar pronarit të mos bëjë veprimtari të paligjshme. Pasi janë ngritur nga lokali kanë hipur në makinë dhe pasi ka dashur të zbres nga makina sipas pretendimeve të Gazmirit, ai i ka thënë se i ka bërë një zarf dhuratë, duke ia futur në xhepin e pasmë.

Preçi ka kërkuar gjatë arrestimit që zarfi të mos hapej pa praninë e avokatit po kjo gjë nukë shtë marrë parasysh.

Gazmir Preçi me gradë Kryekomisar akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”.