Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se ai mbështet zgjedhjet të reja në Venezuelë, pasi një numër vendesh kanë hedhur poshtë rezultatet e votimit të fundit në vendin e Amerikës së Jugut. Karakasi zyrtar është përgjigjur duke e akuzuar atë për ndërhyrje në punët e brendshme.
Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro fitoi zyrtarisht zgjedhjet presidenciale muajin e kaluar, duke siguruar një mandat të tretë në detyrë. Ndërsa vende si Rusia, Kina dhe aleatët rajonalë të Karakasit e kanë uruar presidentin për fitoren, opozita venezueliane, shumica e shteteve të Amerikës Latine dhe vendeve të G7-ëës kanë kundërshtuar të njohin rezultatet, duke shprehur “shqetësime serioze” për integritetin e procesit zgjedhor.
Zyrtarët e Uashingtonit kanë deklaruar se zgjedhjet u fituan nga rivali kryesor i Maduros, figura e opozitës e mbështetur nga perëndimi, Edmundo Gonzalez. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, madje ka deklaruar se Shtëpia e Bardhë e njeh zyrtarisht Gonzalezin si presidentin e zgjedhur.
Të enjten, presidenti brazilian Lula da Silva dhe presidenti kolumbian Gustavo Petro, të cilët kanë kundërshtuar gjithashtu të njohin fitoren e Maduros, i bënë thirrje Karakasit të mbajë zgjedhje të reja dhe të ftojë vëzhguesit ndërkombëtarë për të mbikëqyrur procesin.
Karakasi dhe opozita venezueliane e kanë hedhur poshtë propozimin, me të dyja palët që këmbëngulin se kanë fituar në mënyrë të ligjshme në votimin e korrikut.
Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës (CNE) deklaroi më 28 korrik se Maduro kishte fituar zyrtarisht zgjedhjet presidenciale të vendit duke deklaruar se ai kishte fituar 52% të votave, krahasuar me 43% për Gonzalez.
Opozita, megjithatë, ka pretenduar se votimi ishte i manipuluar. Rizgjedhja e mëparshme e Maduros, në vitin 2018, u kundërshtua gjithashtu nga opozita dhe nga SHBA-ja, BE-ja dhe shumica e shteteve të Amerikës Latine.