Kryetarja e Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Ina Zhupa ka kërkuar transparencë për blerjen e të drejtave televizive të kampionatit shqiptar të futbollit nga Radio Televizioni Shqiptar.
Zhupa thotë se blerja e të drejtave televizive nga RTSH-ja është lajm i mirë por duhet të jepen sqarime mbi procesin e ndjekur dhe kostot që thuhet se janë 1.2 milionë euro në vit.
“Pavarësisht që e konsideroj lajm të mirë marrjen e të drejtave televizive nga RTSH, si televizioni i cili mbahet me paratë e taksave të shqiptarëve, është e domosdoshme të bëhet transparencë dhe të sqarohen disa pikëpyetje në lidhje me procesin e ndjekur dhe kostot që thuhet janë 1.2 milion euro për çdo vit (kontrata 3 vjeçare)”, shkruan ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike ka drejtuar disa pyetje në lidhje me procesin e ndjekur për RTSH-në.
“Disa pikëpyetje që vijnë nga mungesa e tranparencës dhe mënyra antiligjore e funksionit të drejtorit të Përgjithshëm të RTSH Alfred Peza. A është diskutuar në Këshilli Drejtues i RTSH sic e kërkon ligji përpara se kjo ofertë të behej në FSHF? – A kanë qënë blerja e këtyre të drejtave pjesë e planit strategjik, sipas pikës 7, të nenit 102 të ligjit 97/2013?. Në lidhje me shumën, thuhet se do të paguhen 1.2 milion euro cdo vit, për një periudhë 3 vjeçare. Cila është shuma e saktë dhe si u arrit te kjo shumë si propozim? A ka qënë pjesë blerja e këtyre të drejtave te buxheti i miratuar nga KDRTSH për vitin 2024 sipas pikës 16 të nenit 102 të ligjit 97/2013? Nëse përputhet me parashikimet buxhetore, atëherë pse RTSH po kërkon hua shtesë nga qeveria në lidhje me këtë shpenzim? Apo kanë dalë përtej parashikimeve buxhetore pa pyetur KDRTSH? Sipas informacioneve në RTSH thuhet se qeveria do mbuloj 2/3 e pagesës. A është e vërtetë? Dhe mbi bazën e kujt ligji, rregulli, vendimi kërkohet dhe do bëhet ky veprim financiar?”, shkruan ajo.