Vendosni fjalën kyçe....

Blinken shkon në Izrael për të ndërmjetësuar armëpushimin në Gaza


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 18 gusht do të qëndrojë në Izrael, si pjesë e përpjekjeve diplomatike të Uashingtonit për të shtyrë përpara arritjen e një armëpushimi në Gazë, që do t’i jepte fund luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kjo do të jetë vizita e dhjetë e kryediplomatit amerikan në këtë rajon që kur nisi lufta në Gazë në tetor të vitit 2023. Vizita e Blinkenit do të realizohet vetëm disa ditë pasi SHBA-ja paraqiti propozime, që edhe ndërmjetësit e tjerë, Katari dhe Egjipti, besojnë se do të mundësojnë tejkalimin e dallimeve mes palëve.

Zyrtarët amerikanë janë shprehur optimistë për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, që parasheh lirimin e pengjeve, por kanë shtuar se ka ende punë për t’u bërë.

Në Izrael, Blinken do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë.

Negociatat për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi pritet të vazhdojnë javën e ardhshme në Kajro. Ato po mbahen në kohën kur është rritur frika se tensionet në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohen.

 Irani është zotuar se do të hakmerret kundër Izraelit, pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran më 31 korrik. Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë vrasje.

Uashingtoni vazhdimisht ka paralajmëruar Iranin që të mos sulmojë Izraelin.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Ushtria izraelite është kundërpërgjigjur me ofensivë në Gazë nga e cila deri më tani janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, shumica civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Izraeli ka thënë se ka eliminuar 17.000 luftëtarë të Hamasit.