Katër persona janë arrestuar në Durrës pasi dyshohen si autorë të vjedhjes së tre automjeteve.
Në prangat e policisë kanë rënë shtetasit A. G., 53 vjeç, banues në Ishëm, R. H., 24 vjeç dhe P. M., 25 vjeç, pasi në një parkim në lagjen nr. 1, Durrës, këta shtetas, duke u prezantuar si punonjës parkimi, dyshohen se i kanë vjedhur automjetin një shtetasi dhe janë larguar dhe E. Gj., 22 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet tip “Volkswagen”.
Policia ka sekuestruar tre automjetet e vjedhura.
“Reagimi në kohë dhe me profesionalizëm i shërbimeve të Policisë bëri të mundur zbardhjen e vjedhjeve të tre automjeteve një ditë më parë, në Durrës. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Durrës dhe Stacioni i Policisë Plazh, operacioni i koduar “Three”. Kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, si autorë të dyshuar të vjedhjes së 3 automjeteve. Dy prej të arrestuarve, vodhën njërin prej automjeteve duke u prezantuar si punonjës parkingu.
Sekuestrohen 3 automjetet e vjedhura.
Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Stacionit të Policisë Plazh, pas kallëzimit nga tre shtetas se u kishin vjedhur automjetet që kishin në përdorim, menjëherë kanë organizuar operacionin e koduar “Three”. Në kuadër të këtij operacioni, brenda një kohe të shkurtër, është bërë e mundur të lokalizohen vendndodhjet e tre automjeteve të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të operacionit, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– A. G., 53 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, pasi dyshohet se në lagjen nr. 15, Durrës, ka vjedhur automjetin tip “Benz”;
– R. H., 24 vjeç dhe P. M., 25 vjeç, pasi në një parkim në lagjen nr. 1, Durrës, këta shtetas, duke u prezantuar si punonjës parkimi, dyshohen se i kanë vjedhur automjetin një shtetasi dhe janë larguar;
– E. Gj., 22 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet tip “Volkswagen”-njofton policia.