Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet ajrore izraelite vrasin 19 persona në Gaza


Sulmet ajrore izraelite, të kryera gjatë natës, kanë lënë të vrarë të paktën 19 persona. Në mesin e viktimave janë një grua dhe gjashtë fëmijët e saj.

Sulmet izraelite përfshijnë një sulm në orët e para të së dielës në një shtëpi në qytezën Deir al-Balah, ku u vra gruaja me gjashtë fëmijët e saj, sipas spitalit Martirët e Al-Aksës.

Ndërkaq, një sulm ajror në qytezën Xhabalija goditi dy banesa, duke vrarë dy burra, një grua dhe vajzën e saj, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Një tjetër sulm, afër qyteti jugor Han Junis la të vrarë katër pjesëtarë të një familjeje, përfshirë dy gra, sipas spitalit Naser.

Këto sulme u kryen, teksa të dielën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të qëndrojë në Izrael, ku do të takohet me zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Vizita e Blinkenit është në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të ndihmuar palët që të tejkalojnë dallimet për të arritur një marrëveshje armëpushimi. Më herët gjatë javës, në Doha u zhvilluan bisedime dyditore për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe të lirimit të pengjeve. Zyrtarët amerikanë janë shprehur optimistë për arritjen e një pakti, që do të ndalte luftimet dhjetëmujore mes Izraelit dhe Hamasit.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor.