Vendosni fjalën kyçe....

Eva Buzo ia del të përshkojë me not kanalin e Otrantos, 92 km për 35 orë e 17 minuta


Eva Buzo ia doli të bëhet atletja e parë grua që kalon me not kanalin e Otrantos. Shqiptaro-Australiania përfundoi sot në mëngjes sfidën e saj duke përshkuar me not 92 km nga brigjet e Lecces në Itali, në gadishullin e Karaburunit për 35 orë e 17 minuta.

Sfida nisi pasditen e 17 gushtit 2024 nga shkëmbijtë e San Foca, pranë Lecces-s, dhe përfundoi rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm 19 gusht kur preku tokën shqiptare në afërsi të kepit të Gjuzës, në një nga gjiret e Karaburunit.

 “Atje është nisur rreth orës 18:30 të darkës, parmbrëmë në darkë (17 gusht 2024) dhe ka mbërritur sot në mëngjes në orën 5 e disa minuta (19 gusht 2024). U nisëm nga San Focca dhe mbërritëm këtu diku midis Gjirit të Gramës dhe Gjirit të Varkave siç e njohim ne” thotë Viktor Koçaj, peshkatari që e shoqëroi Evën gjatë gjithë sfidës së saj.”

Një udhëtim i vështirë për avokaten me origjinë shqiptare pasi vitin e kaluar (2023)  ndërpreu sfidën në mes për shkak të komplikacioneve por sot e përfundoi rrugëtimin e saj me sukses, duke treguar një forcë fizike dhe psikologjike.

Ajo ka ndaluar shumë pak duke pirë ujë dhe udhëtimi ka qenë konstant. Nuk ka pasur asnjë problem gjatë udhëtimit prej 35 orësh. Në momentin e mbërritjes Eva nuk është në gjendje të flasë për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa. Ndërkohë raportohet se gjendja e saj është shumë e mirë.

“Urime Evës, jam pa fjalë. Eva hyri në historinë e detit në një mënyrë më fisnike duke sakrifikuar veten e saj. Kalimi i kanalit të Otrantos, pas një dështimi të një viti më parë, do të themi e  betonozoi emrin e Evës në një nga shkëmbinjtë e Karaburunit. Unë do të thosha që ta quajmë ‘Shkëmbi i Evës’ atë shkëmb ku Eva kapi për herë të parë kapi tokën shqiptare. Eva ka bërë mbi 50 e ca milje” tregon Sherif Dyrmishaj, peshkatari që e ka shoqëruar gjatë këtij rrugëtimi.

Edhe Viktor Koçaj peshkatari tjetër që shoqëroi udhëtimin e Buzos tregon momentet e bukura dhe të vështira gjatë udhëtimit, prekjen e shkëmbit në Karaburun me dorë deri tek shoqërimin e notares nga Delfinët gjatë rrugëtimit.

Po ashtu edhe shoqëruesja Evis Spahiu notare dhe shoqëruese e Buzos tregon për gjendjen e saj shëndetësore.

“Asnjë moment nuk është dorëzuar, ritmi i saj që nga fillimi deri në fund ka qenë konstant. Ka pasur problem nga kalcifikimi, psh tani nuk është në gjendje të flasi, për disa ditë derisa të stabilizohet situata, por disa çuna shumë të sjëllshëm nga Vlora na sollën disa akullore edhe ajo sikur e stabilizoi gjendjen e saj. Ka notuar për 92 kilometra për 34 orë”,  tha Evis Spahiu.

Eva është një avokate e zonja në Australi dhe e angazhuar masivisht me problematika sociale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi, për organizata të ndryshme duke përfshirë World Vision dhe Save the Children. Mendimi për të kaluar me not kanalin e Otrantos, i erdhi gjatë periudhës së izolimit nga pandemia, kur duke parë në Google Maps disa vende të mundshme për të notuar, u ndal në distancën midis Italisë dhe Shqipërisë.

Pas të paharruarit Paolo Pinto, i cili kaloi kanalin e Otrantos më 14 korrik të vitit 1979,  Eva Buzo është e para atlete grua që ia del ta kalojë me not kanalin e Otrantos, 19 gusht 2024.