Të hënën, krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik morën përgjegjësinë për një shpërthim bombe në Tel Aviv, pranë një sinagoge.
Autoritetet izraelite, përfshirë policinë dhe agjencinë e inteligjencës Shin Bet, e cilësuan incidentin si një akt terrorist.
Sipas raportimeve, një burrë që mbante një çantë shpine të mbushur me eksplozivë u vra kur bomba shpërtheu, ndërsa një kalimtar mbeti i plagosur.
Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje në kryeqytetin komercial të Izraelit. Zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer, deklaroi se burri që mbante bombën kishte për qëllim të arrinte një zonë më të populluar për të shkaktuar dëme më të mëdha, por shpërthimi ndodhi më herët, sipas Reuters.
Në një deklaratë të përbashkët, grupet militante palestineze thanë se sulme të tilla vetëvrasëse brenda Izraelit do të vazhdojnë për sa kohë që “masakrat dhe politikat e vrasjeve” të Izraelit vazhdojnë.
Kjo deklaratë i referohet ofensivës së Izraelit në Gazë dhe vrasjes së udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran më 31 korrik, për të cilën Izraeli nuk ka pranuar as mohuar përgjegjësinë.
Sulmi në Tel Aviv ndodhi vetëm një orë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në qytet për të nxitur një armëpushim në Gazë, me qëllim përfundimin e luftës 10-mujore midis Izraelit dhe Hamasit.
Kjo ngjarje ka shtuar urgjencën për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim, veçanërisht pas kërcënimeve të Iranit për hakmarrje ndaj Izraelit pas vrasjes së Haniyeh.