Vendosni fjalën kyçe....

Më 1 shtator pritet hapja e kampeve të emigrantëve në Shëngjin e Gjadër


Më 1 shtator pritet të hapen qendrat për pritjen e emigrnatëve në Shëngjin e Gjadër të Lezhës ndërkohë që nesër pritet të zhvillohet një provë e administrimit të dy qendrave nga punonjësit italianë.  Bëhet fjalë për një personel prej rreth 500 punonjësish që do jenë neser në vend për të provuar funksionimin e qendrave.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR), do mbikëqyrë tre muajt e parë të zbatimit të marrëveshjes. Agjencia tha do këshillojë emigrantët për të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe do sigurohet që procedurat që do përdoren të jenë “në vijë me standardet ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut”.

Kapaciteti maksimal i numrit të emigrantëve që do presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.

Marrëveshja për ngritjen e dy qendrave u nënshkrua nga kryeministri Rama e kryeministria italiane Meloni më 6 nëntor 2023. Ajo parashikon që emigrantët që do kapen në det pa zbarkuar në territorin italian do sillen në Shqipëri për përpunim po aty nuk bëjnë pjesë gratë dhe minorenët.

Marrëveshja u bë temë e nxehtë debate në Itali mes qeverisë dhe opozitës ndërsa në Shqipëri ka pasur një kërkesë nga PD-ja për transparencë lidhur me marrëveshjen.