Vendosni fjalën kyçe....

TRANSKIPTI I MBLEDHJES – Drejtuesit e RTK-së në Kosovë ndjejnë për detyrë të gjurmojnë agjenturën sovjetike


Gazeta Nacionale posedon procesverbalin e mbledhjes së jashtëzakonshme të Bordit të RTK-së, mbajtur më 23 korrik 2024, pas lajmit të rremë të publikuar në mediumin publik.

Këtu, mund t’i lexoni të gjitha raportimet rreth raportit, deri tani:

“Zyrtari ishte atje”: Rilind Gërvalla implikoi institucionet e sigurisë në lajmin e rremë të RTK-së kundër Nacionales

“Kemi menduar që lajmi të shkojë në tërësi i përkthyer sepse ka interes të publikut dhe interesi i publikut është që të dijë influencën dhe goditjet që po bëhen herë pas herë nga Aleksandër Vucici ku siç e keni parë ai vete ka pohuar këtë gjë dhe kjo është pak a shumë e gjitha. Unë sot jam përsëritur qe disa herë në takimedhe unë këtu jam për sqarim, pra nuk keni të bëni me këta persona që i shihni në këtë sallë, keni të bëni me mua dhe e gjitha çfarë kam bërë është në mënyrë zyrtare dhe asgjë nuk është bërë në mënyrë shoqërore. Natyrisht këta persona që kthehen prej seminarit ose kudo që kanë qenë, janë të gatshëm të ofrojnë shpjegime edhe më të hollësishme për çfarë do që ju intereson”, citohet në procesverbal të ketë thënë drejtori Rilind Gërvalla.

Rilind Gërvalla në këtë mes, e përfshin edhe ish-drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ai flet për një takim që e kanë pasur bashkë me Ahmetxhekjan, me dy nga përgjegjësitë e sektorëve në instancat e sigurisë, ku sipas tij ishin zotuar për bashkëpunim.

“Natyrisht e kuptoj rëndësinë sepse janë përmendur dy (2) media ku njëra prej tyre është mjaftë influencuese në Kosovë dhe tjetra po ashtu, por idea e gjithë kësaj ka rrjedhur nga një takim të cilin e kemi pas në muajin shkurt të vitit 2023 ku me ish drejtorin e përgjithshëm z. Shkumbin Ahmetxhekaj kemi takuar dy (2) nga përgjegjësit të sektorëve nga instancat e sigurisë ku ne e kemi marr njëfarë zotimi që të ndihmojmë në rrafshine sigurisë kombëtare edhe lajmet të cilat janë të një rrjeti pak më të gjëra se sa vetëm brenda Kosovës apo specifikisht ku kanë të bëjnë me informatat e verifikuara nga instancat e sigurisë të cilat është e koncentruar kundrejt regjimit të Vucicit dhe ndërhyrjeve të cilat i kanë bërë në rendin Kushtetues në Kosovë duke e parë sulmin e fundit i cili ndodhi në Banjskë”, thotë Gërvalla në mbledhjen e Bordit të RTK-së.

Gërvalla e pranon se nuk është konsultuar me U.D Drejtoren, Zana Spahiu, lidhur me këtë lajm. Madje, e pranon se në fillim është “ngatërruar” duke thënë se lajmi është botuar nga Radio Evropa e Lirë, e cila njihet si media profesionale, me Bosnjen e Lirë, medium i njohur për shpifje e fake neës.

“Natyrisht me të drejtë është kritika e ushtrueses së detyrës të drejtoreshës të përgjithshme në RTK znj. Zana Spahiu që është dashur të konsultohemi me të dhe me zëvendës drejtorin e përgjithshëm, këto nuk janë bërë për ndonjë qëllim të caktuar siç mund të thotë dikush por për shkak të shpejtësisë së kërkuar dhe lajmit në kohë reale dhe situatës të sikletshme të cilën e patëm për paralajmërimin nga personi për marrjen e veturave që i kishim dhe këtu unë e kam ngatërruar në vend se të them “Slobdna Bosna” e kam thënë ”Slobodna Evropa” por z. Jeton Musliu me shpejtësi e ka korrigjuar sepse nuk kemi të bëjmë me radio “Evropa e Lirë” Por kemi të bëjmë për “Bosnien e Lirë””, shprehet më tutje Drejtori i TV-së në RTK, Rilind Gërvalla, duke u ankuar se kolegët dhe ai janë subjekt i etiketimeve.

Më tutje, drejtori Gërvalla e mohon se ka pasur bashkëpunim me partinë në pushtet rreth këtij lajmi. Madje, i akuzon zyrtarët e kësaj partie se lajmin që e kanë shpërndarë, nuk ka qenë i RTK-së, pasi RTK-ja nuk i ka publikuar emrat e dy mediumeve. Gjë që u demantua vetëm pas disa minutash në mbledhjen e Bordit të RTK-së.

“Unë flas vetëm të vërtetën dhe nuk kam ndonjë fshehje rreth kësaj sepse po të ishte nga partia apo qeveria unë do ta tregoja një gjë të tillë pa kurrfarë problemi sepse ne bashkëpunojmë me të gjitha institucioneve zyrtare, kredibile dhe as nuk ka pas individ të subjekteve politike që kanë reaguar mbi të, natyrisht kanë bërë gabim që kanë hedhë lajme të fabrikuara sepse ai lajm nuk është publikuar nga RTK, por kanë fabrikuar lajm, kanë shfaq emrin me persona të cilët janë të përfshirë me ato dy (2) media, kjo nuk është e RTK-së, ku e kanë marr atë lajm nuk e di por jo tek ne, kanë pas mundësi ta marrin diku tjetër, fontet janë të ngjashme por unë nuk mendoj që është linku i njëjtë”, thotë Gëvalla, bazuar në procesverbalin e mbledhjes të cilin e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale.

U.D Drejtoresha e RTK-së, Zana Spahiu, kishte shprehur shqetësimin e saj në këtë mbledhje, për mënyrën se si ka ndërhyrë drejtori i TV-së, Rilind Gërvalla, në mediat online, të cilat janë përgjegjësi e saj.

“Pra shqetësimet më të mëdha të mijat janë ndërhyrja direkte në mediat onlinë nga ana e drejtorit të televizionit pa njoftimin tim paraprak pasi që ka të bëjë me median të cilën është në varësi direkte timen ku për këtë ia kam tërheqë vërejtjen sepse janë kompetencat e qarta për secilin prej nesh në ligj në status të përcaktuara tashme dhe drejtori I televizionit duhet të ketë parasysh mos ti kalojë kompetencat sidomos në raste të tilla si publikimi I lajmeve të ndjeshme si ky tani e që ka pas një hov të madh në publik”, ka thënë në mbledhje Zana Spahiu.

Biseda Kusari-Radojçiq, Pronto: Paralelet e Leonora Bërbatovcit në arsyetimin e lajmit të rremë të RTK-së

Ushtruesja e detyrës së kryeredaktorës në RTK, znj.Leonora Bërbatovci, në mbledhjen e jashtëzakonshme të 23 korrikut 2024, arsyetonte lajmin e rremë në mediumin publik si më poshtë:

“Unë nuk po e ri përsëris procedurën se si ka ndodhur për mos me u dublifikuar të dhënat. U tha që lajmi është botuar në ueb dhe ne i jemi referuar atij lajmi. Unë e kam marr me lexuar lajmin ku në lajme ka qenë siç i themi ne “off” lajm i shkurtë. Po e ritheksoj që në lajmin tonë i cili është botuar dhe cituar nga mediumi “Slobodna Bosna” nuk ka pas asnjë mediumi të cilit Ju kemi referuar. Është publikuar në vazhdën e narratives që ne publikojmë vazhdimisht lajme të ndryshme madje edhe të organizatave jo qeveritare të aspekteve siç janë ndikimi rus në Ballkan, pra ndikimi përmes mediave. Janë tema që e sfidojnë rajonin”, deklaronte ajo në këtë mbledhje të jashtëzakonshme.

“A shihet me interes publik? Natyrisht se po përderisa ne e ruajmë pjesën e privatësisë përderisa. Ne Ju kemi referuar dy (2) mediave të cilave ne nuk i kemi përmendur me emra. Pra kjo ka qenë si lajm i publikuar në pjesën e lajmeve qendrore, pra vetëm kjo. Tjetra, për ta bërë një krahasim, ta zëmë se ne ju kemi referuar portalit “Nacionale” ne e citojmë “Nacionalen” kur ka diçka që është në interes publik, siç ka qenë rasti i përgjimeve të znj. Kusari dhe z. Radojic të cilat i kemi marr dhe i kemi publikuar. Mund të thuhet që ka pas argumente në ato përgjime, me gjithë atë ato përgjime nuk kanë qenë zyrtare, për dallim nga rasti “Pronto” që kanë qenë incizime të autorizuara”, deklaronte Bërbatovci.

Anëtari i Bordit e krahason RTK-në me BBC-në, pretendon se edhe televizioni britanik poston lajme të pakonfirmuara

Anëtari i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ka shprehur pretendime të çuditshme në mbledhjen e 23 korrikut, ku është diskutuar për skandalin e RTK-së, që ka publikuar një lajm të pakonfirmuar të Sllobodna Bosnës.

Në procesverbalin e kësaj mbledhje, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, ai mundohet ta mbrojë RTK-në nga ky skandal.

Në adresimin e tij, ai e krahason RTK-në për BBC-në.

Madje, Beqiri pretendon se edhe televizioni britanik poston lajme të pakonfirmuara.

“Ama një fakt nga lajmet BBC që e konfirmon që e konfirmon që janë vrarë X ushtarë në ndonjë vend”, ka thënë Beqiri.

Ndaj pretendimeve të Beqirit ka reaguar anëtarja tjetër e bordit, Arta Berisha, e cila ka kërkuar që të mos krahasohet RTK-ja me BBC-në.

Mos e përmend BBC, sepse ne jemi me kilometra larg nga standardet e BBC-së”, ka thënë Berisha.

Drejtoresha e RTK-së alarmoi për përzierjen e Gërvallës në mediat online, jashtë kompetencave

Në mbledhjen që u mbajt më 23 korrik, U.D Drejtoresha e dorëhequr tashmë, Zana Spahiu, alarmonte se drejtori i TV-së në RTK, Rilind Gërvalla, kishte ndërhyrë në mediat online. Kjo pavarësisht se këtë nuk e ka obligim, e as nuk i lejohet me ligjet e RTK-së.

“Pra shqetësimet më të mëdha të mijat janë ndërhyrja direkte në mediat onlinë nga ana e drejtorit të televizionit pa njoftimin tim paraprak pasi që ka të bëjë me median të cilën është në varësi direkte timen ku për këtë ia kam tërheqë vërejtjen sepse janë kompetencat e qarta për secilin prej nesh në ligj në status të përcaktuara tashme dhe drejtori i televizionit duhet të ketë parasysh mos ti kalojë kompetencat sidomos në raste të tilla si publikimi i lajmeve të ndjeshme si ky tani e që ka pas një hov të madh në publik”, ka thënë Spahiu në mbledhjen e Bordit të RTK-së.

Sipas Spahiut, Gërvalla kokë më vete kishte bërë këtë ndërhyrje, duke u përzier në detyra që nuk i takojnë.

Është shumë shqetësuese kur brenda nesh ka anëtar të lartë të menaxhmentit të cilët veprojnë në një mënyrë “krye në vete” dhe nuk na njoftojnë neve si organe, qoftë edhe zëvendës drejtorin e përgjithshëm me kompetencat e reja edhe mua, për ndërhyrje direkte te mediat online dhe në lajmet qendrore, besoj që për këtë pjesë të ftuarit në këtë mbledhje do të japin informacione më të detajuara dhe ti shohim qëndrimet e tyre në lidhje me publikim e lajmit i cili fillimisht është publikuar në media online rreth orës 14:40 dhe i njëjti ka vazhduar në lajme qendrore me citime nga rtklive dhe jo portali në fjalë”, deklaronte Spahiu.

Çka tha Arta Berisha në mbledhje?

“Lajmi që është publikuar më së pari në rtklive, nuk është hulumtim, është një përmbajtje e pa bazuar në tërësi dhe si i tillë për mendim timin profesional, duke u thirrur në ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së, standardet profesionale, nuk do të duhej të kalonte si i tillë në tërësi. Më vjen keq që publiku është shërbyer me të pa vërtete se RTK i ka atakuar X mediat. Kjo nuk ka të bëjë me RTK si emër por ka të bëjë me njerëzit që punojnë aty, pra ne nuk merremi me një medium por merremi me njerëzit që punojnë aty. Në këtë moment mua më shqetëson fakti që kur rtklive e ka pa që publiku i gjerë po dezinformohet dhe po dëmtohet RTK deri në këtë masë sepse i ka atakuar X mediat dhe nuk ka reaguar, kjo për mua është shqetësim tjetër. Këtu është dashur të bëhet një reagim i menjëhershëm për ta sqaruar publikun dhe jo me ju përgjigje X mediave, pavarësisht kush është në krye të tyre,” ka thënë Arta Berisha

“Për shkak se përmbajtja e lajmit është e pa mbështetur në fakte, mendoj që duhet të hiqet nga publikimi dhe të kërkohet falje për publikimin pa fakte dhe gabime sepse sa i përket gazetarëve kur flasim për lirinë e shprehjes në gazetari, flasim edhe për mos cenimin e mos lirisë të shprehjes, flasim për atë kufirin që gazetarët e kanë më të gjerë për të bërë gabime, pra nëse një profesionisti mjekësor nuk i lejohet të bëjë gabim sepse e vret personin, gazetarit i lejohet të shkojë pak në gabim sepse e kemi lirinë e shprehjes por kur e sheh që ke gabuar, e korrigjon dhe vazhdon punën, pra ky është mos cenimi i lirisë të shprehjes dhe kjo është ajo që e dallon gazetarin nga një profesionist me diplomë dhe me detyra specifike”, ka thënë ajo, siç regjistrohet në procesverbalin që ka siguruar Nacionale.

“Informatat që drejtori i televizionit nisi ti prezantoj në këtë mbledhje nuk përkojnë me përmbajtjen e artikullit, në asnjë vend brenda artikullit nuk ka referencë për struktura të sigurisë. Nëse ato informata që i keni Ju e që unë besoj që i keni sepse siç e cekët i keni takuar organet përgjegjëse dhe besoj në saktësinë e tyre, pavarësisht që unë akoma nuk jam duke e ditur saktë se për çfarë po bëhet fjalë, por apriori kur ta jep institucioni i sigurisë e besoj ato është dashur njëmend të trajtohen ashtu që të realizohet një hulumtim i mirëfilltë që të përmbushet interesi bazë i publikuar por me një përmbajtje me fakte”.

“Unë personalisht pres masa konkrete nga u.d. drejtoresha e përgjithshme për këtë shkelje profesionale sepse kjo e ka dëmtuar RTK-në dhe sot këtu që ne jemi duke folur në këtë moment, po vazhdon dëmi nga kolegët e juaj, pra personalisht e them edhe me procesverbal që unë distancohem nga të distancuarit sepse këtu kemi të bëjmë me një jo sinqeritet se si trajtohet mediumi publik dhe RTK në përgjithësi”.

“Është për keqardhje niveli ku kemi ra në sy të publikut sepse ne po e dimë se si është situata jashtë por ne duhet të kemi përgjegjësi se si na sheh publiku. Për sa i përket komentimit për artikullin dhe gjendjen, unë e mbylli me kaq por nuk mundem me kaluar pa e lexuar nenin 11 të Statutit të RTK-së i cili flet për përgjegjësitë parësore të RTK-së të cilat janë: Programet e RTK do të udhëhiqen kryesisht nga ndjenja e përgjegjësisë, vëmendjes dhe kujdesit për përmbajtjen e mesazhit të çdo lajmi, informacioni apo të çdo fjale të transmetuar në të mirën e të mbrojtjes së emrit, autoritetit dhe reputacionit të RTK-së, institucionit të vetëm publik në shtetin e Kosovës”.

“Të ofrojë informacione të besueshme, përkitazi me larushinë ndër llojore të ngjarjeve, rasteve, proceseve, dukurive që ndodhin në Kosovë dhe jashtë saj. Të inkurajojë, stimulojë dhe nxisë me korrektësi dhe profesionalizëm kulminant avancimin e vazhdueshëm të pikëpamjeve, mendimeve, qëndrimeve të qytetarëve drejt formimit të opinionit publik”.

Arsyetimi i lajmit si ‘një përkthim’: Valjeta Kosumi i përmendi postimet e Dua Lipës

Duke iu referuar lajmit si një përkthim dhe duke nënkuptuar se kjo është praktikë në RTK, biseda mes tyre, ndodh si më poshtë:

 

Fatime Lumi Qehaja:

Më herët thatë që ka ndodhur edhe më herët të ketë raste të tjera të cilët merren nga mediat e tjera dhe përkthehen për rtklive?

 

Valjeta Kosumi:

Saktë, përveç mediumeve botërore.

 

Fatime Lumi Qehaja:

Pra ky lajm fatkeqësisht ka marrë bujë dhe po trajtohet dhe d.m.th. ndodhin shpesh këto raste. Si vlerësohet që ai lajm duhet të përkthehet dhe publikohet? SI është rëndësia e seleksionimit, edhe për raste të tjera jo vetëm për rastin në fjalë?

Lajmet nuk kanë të bëjnë vetëm me zhvillimet politike që i huazojmë nga mediat e tjera.

 

Fatime Lumi Qehaja:

Pra pa keqkuptime por qëllimi im është që dua ta di procedurën se si vie deri te publikimi i lajmeve të huazuara nga mediat e tjera.

 

Valjeta Kosumi:

Unë i inkurajoj postimet e instagramit të mediumit “The Times”, të këngëtares Dua Lipa, lajme nga gazetave të cilat kanë artikuj interesant të cilat pastaj i publikojmë dhe i citojmë në uebfaqe. Ne nuk jemi gazetar të lajmeve ndërkombëtare, rrjedhimisht artikujt i përkthejmë me kapacitetet që i kemi dhe për vlerësime dhe sugjerime janë redaktorët e ndërrimeve, sugjerime ju dërgoj edhe unë.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Nacionale