Vendosni fjalën kyçe....

Publikimi i shkrimit nga “Slobodna Bosna” në RTK, dorëhiqen kreu i bordit e dy anëtarë, Boletini e Buzhala akuza Adi Krastës


Dy ditë më parë, kreu i bordit të RTK-së (Radiotelevizioni i Kosovës), Besnik Boletini dha dhorëheqjen nga posti i tij. Shkak për dorëheqjen sipas tij është bërë publikimi në televizioni publik RTK i një lajmi të paverifikuar nga një edianë Bosnjë Hercegovinë, “Slobodna Bosna”, që akuzonte portalet “Periskopi” e “Nacionale” se financohen dhe janë nën kontrollin e Milan Radoiçiç dhe se janë paguar me shumë të mëdha nga Beogradi.

Pas dorëheqjes, përmes një postimi në rrjetet sociale Boletini, ka deklaruar se i ka pasur “duart e lidhura” pasi ka kërkuar marrjen e masave ndaj personave që kanë shkruar e publikuar lajmin në fjalë, që nxiti reagime të shumta.

Boletini akuzoi gjithashtu edhe zëvendësdrejtorin e RTK-së, Adi Krasta, se nuk ka dashur të marrë masa ndaj atyre që shkaktuan atë që ai e quajti skandal.

Në reagimin e tij, Boletini ka lëshuar akuza të forta ndaj disa anëtarëve të bordit se kanë qenë kundër pezullimit të drejtorit të kanaleve në gjuhën shqipe Rilind Gëralla dhe ka kërkuar sqarimin e plotë të asaj që ka ndodhur dhe masa.
“Sot gjatë mbledhjes së bordit, kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të RTK-së. Përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar, gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive. Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, ka shkruar Boletini.

“Insistimi i stafit editorial se emrat e dy mediumeve nuk janë përmendur, ishte jobindës. Raporti erdhi. Stafi editorial na kishte gënjyer. Emrat ishin përdorur. Masat nuk po merren. Plani për të penguar masat kulmoi sot. Unë nuk mund t’i mbyllë sytë para një lëshimi të madh profesional në asnjë mënyrë në asnjë rrethanë pa u ndëshkuar përgjegjësit. Tendenca për ta kaluar këtë rast vetëm me një kërkim falje është e pakapërdishme. Prandaj, në rrethanat kur:

Shkeljet janë evidente dhe të dëshmuara dhe bordi u gënjye nga stafi editorial;

Zëvendësdrejtori që i ka përgjegjësitë e drejtorit nuk merr masa;

Bllokohet tentimi për të emëruar një u.d që merr masa

Duart janë të lidhura dhe qëndrimi i mëtutjeshëm është i paefektshëm dhe i pakuptimtë”, shtoi Boletini në reagimin e tij.

Pos Boletinit, dorëheqjen e ka dhënë edhe anëtarët e tjerë të Bordit të RTK-së, Arta Berisha e Safet Kabashaj.

Berisha ka thënë se për të është e papranueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së.

“Raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit – botimin e një teksti të paverifikuar dhe të plasuar fillimisht nga një medium tjetër – janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, për më keq: bordi është gënjyer. Kjo për mua është e patolerueshme. Shpresoj se praktika e mosndëshkimit të mos rikthehet në RTK”, ka shkruar ajo në Facebook.

Drejtori i portalit “Nacionale”, Berat Buzhala nga ana e tij, ka akuzuar zv.drejtorin e RTK-së Adi Krasta për “afërsi johigjienike me pushtetin në Kosovë”.

Përmes një reagimi ai shkruan se RTK-ja pas dorëheqjes së Boletinit dhe të tjerëve u ka mbetur servilëve, veglave e pakurrizorëve duke e futur Krastën në këtë grupim.

“Fakt është, unë e kam mbështet Adi Krastën, madje jo veç për zëvendësdrejtor, por edhe për drejtor të RTK-së.

Gjate kohës sa është në RTK e kemi ruajtur një komunikim civil dhe qytetar. Mirëpo, unë nuk kam thënë asnjëherë që po du me u martu me Adin, e as me u shumu me Adin.

Absolutisht ka dështuar në provim në mënyrën qysh e ka trajtuar rastin e Slobodna Bosnes. Nuk e kam ndërmend as me e fy e as me e ofendu, e as me i thanë që ka ardh nga Shqipëria në Kosove me na shit mend. Adi Krasta qartazi e ka një afërsi johigjienike me pushtetin në Kosovë. Unë jam tepër i lumtur dhe tepër krenar me shumicën dërrmuese të kolegeve të Kosovës. Me dorëheqjen, anëtaret e Bordit sot e dëshmuan një pjekuri profesionale. Besniku me kolegë të tjerë. E lanë pushtetin veç me veglat e tij.

Pra, le të mbetet RTK si medium i veglave, i zgjatjeve, i pakurrizoreve, i servilëve. Fatkeqësisht, për dëshpërimin tim të thellë, Adi Krasta tashme ia ka rezervuar vetes një vend në këtë galeri, në këtë llozhe.

Pas disa kohësh, edhe ai do ta sheh se çfarë gabimi ka bo. E ka shndërruar veten në servil të qeverisë dhe pushtetit. Nuk e kam të qartë pse.”

Çfarë ka ndodhur

Portali i RTK-së publikoi më 22 korrik një shkrim pa autor, duke sjellë një lajm të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”. Në mes të shkrimit, që fliste për një takim të presidentit serb Vuçiç dhe kancelarit gjerman Scholz, shkruhej se kreu i shtetit serb po shtrinte ndikimin mediatik në Kosovë përmes portaleve “Periskopi”, që sipas portalit ishte nën kontrollin e Milan Radoiçiçit dhe “Nacionale” që pretedohet se ka marrë financime disa milionë euro nga Beogradi zyrtar.

Të dy portale në fjalë thuhej në shkrim bënin shkrime kritike ndaj qeverisë së Albin Kurtit.

Ndërkohë më 25 korrik, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së RTK, Zana Spahiu si dhe redaktori, Jeton Musliu, dhanë dorëheqjen nga detyra.

Shkrimi në fjalë i publikuar në RTK nuk përmendte me emër dy portalet në Kosovë, pasi emrat ishin fshirë, megjithatë lajmi i publikuar nxiti reagime të shumta në vend me deputetë të Vetëvendosjes që përdorën shkrimin e përkthyer të “Slobodna Bosna” për të sulmuar mediat në Kosovë me pretendimin se ato paguheshin nga Serbia.

Në të njëjtën ditë, drejtori i portalit “Nacionale”, Berat Buzhala, tha se nuk kishte pranuar asnjë pyetje nga RTK-ja rreth pretendimeve në fjalë, parta se shkrimi të publikohej në faqen në ueb të RTK-së e më pas edhe në edicionin kryesor të lajmeve.

Gazeta Nacionale ka njoftuar se po ndjek hapa ligjorë ndaj medias boshnjake “Slobodna Bosna” për lajmin.