Vendosni fjalën kyçe....

Agjencitë e zbulimit: Irani përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj ekipit të ish-Presidentit Trump


Zyrtarët amerikanë të zbulimit thanë të hënën se Irani është përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj ekipit elektoral të ish-Presidentit Donald Trump.

Kjo është hera e parë që qeveria amerikane deklaron se kush mban përgjegjësi për sulmin kibernetik, për të cilin kandidati republikan pati fajësuar më parë Teheranin.

FBI-ja dhe agjencitë e tjera federale thanë se Irani i konsideron si veçanërisht të rëndësishme zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti dhe se ka vendosmërinë që nëpërmjet këtij operacioni kibernetik dhe aktiviteteve të tjera të ndërhyjë në politikën amerikane, “të mbjellë përçarje dhe të dëmtojë besimin tek institucionet tona demokratike”.

“Kemi pikasur aktivitet agresiv në rritje nga Irani gjatë këtij cikli zgjedhor, në veçanti për sa i përket operacioneve të influencimit ndaj publikut amerikan dhe operacionet kibernetike ndaj ekipeve elektorale për zgjedhjet presidenciale”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të FBI-së, Zyrës së Drejtores së Zbulimit Kombëtar, si dhe Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën.

Deklarata thotë se hakerët iranianë janë “përpjekur të sigurojnë qasje tek individë që kanë qasje tek ekipet zgjedhore të të dyja partive politike”. FBI-ja po heton edhe përpjekjet për të fituar qasje tek ekipi elektoral i demokrates Kamala Harris./VOA