Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Hans Kluge, deklaroi të martën se mpox, i cili është shpallur si emergjencë shëndetësore ndërkombëtare, “nuk është COVID-i i ri”.
Duke shpjeguar variantet e ndryshme të sëmundjes, Kluge tha se mpox transmetohet kryesisht përmes kontaktit lëkurë me lëkurë me lezionet, përfshirë gjatë aktit seksual, përcjell Anadolu.
Kluge theksoi se autoritetet shëndetësore dinë se si ta kontrollojnë mpox-in dhe se në rajonin evropian janë ndërmarrë hapa për eliminimin e plotë të transmetimit të sëmundjes.
Sipas OBSH-së, në vitin 2024, 95% e rasteve të konfirmuara në rajonin afrikan të OBSH-së janë raportuar në Republikën Demokratike të Kongos, e cila po përjeton një rritje të rasteve me mpox.
Në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore, sëmundja është përhapur në vende si Republika e Kongos, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Liberi, Nigeria dhe Afrika e Jugut, ndërsa në Evropë, rreth 100 raste të reja të mpox raportohen çdo muaj.
Klasi I i mpox-it është konfirmuar jashtë kontinentit afrikan për herë të parë në Suedi, në një person me histori udhëtimi në Afrikën Qendrore.
Kluge gjithashtu paralajmëroi se ndërsa kushdo mund të preket nga mpox, jo të gjithë janë në rrezik të barabartë. Në mënyrë të veçantë, njerëzit që kanë kontakte të ngushta me dikë të infektuar, përfshirë partnerët seksualë, anëtarët e familjes dhe punonjësit e shëndetësisë, janë në rrezik më të lartë.