Vendosni fjalën kyçe....

Si po e shndërron princi saudit vendin, epokës së parave të lehta në mbretëri po i vjen fundi


Për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, Arabia Saudite ka qenë një tërheqje e madhe për tregtarët, bankierët dhe menaxherët e aseteve që kërkonin kapital, ndërsa fondi i saj ambicioz i pasurisë sovrane shkoi në një shpërthim global të shpenzimeve multimiliardë dollarëshe.

Por ndërsa mbretëria rivlerëson prioritetet e saj dhe Fondi i Investimeve Publike prej 925 miliardë dollarësh e zhvendos fokusin në angazhime të mëdha të brendshme, epoka e Arabisë Saudite që perceptohet si një burim i parave të lehta po i afrohet fundit.

“Po mbaron,” tha një bankier i lartë investimesh me bazë në Dubai.

“Njerëzit po e kuptojnë atë.”

Menaxherët e fondeve, bankierët dhe kompanitë që kërkuan të rrisin kapitalin në mbretëri po ndjejnë tashmë ndikimet e ndryshimit.

Menaxherët e parave thonë se zyrtarët sauditë kanë vënë shumë më tepër kushte në mandate, shpesh duke kërkuar punësimin e punonjësve vendas dhe të paktën njëfarë përdorimi të fondeve për investime në kompani dhe projekte vendase.

Të tjerëve u thuhet se që Riadi të angazhojë fonde të reja, ai dëshiron të shohë riinvestim në mbretëri, thanë bankierët.

“Po kthehet gjithnjë e më shumë në çështje,” shpjegoi një burim i brendshëm në fondin e pasurisë.

BlackRock, menaxheri i aseteve në SHBA, siguroi 5 miliardë dollarë nga PIF për të ankoruar një firmë të re investimi në Riad, të cilën e njoftoi në prill. Por mandati i saj është i përqendruar kryesisht në zhvillimin e tregjeve të kapitalit të mbretërisë.

PIF tha në një deklaratë për Financial Times se kishte një “proces të fuqishëm investimi”, duke e lejuar atë “të zgjedhë partnerët dhe këshilltarët që janë më të përshtatshëm për çdo mandat që ne ndjekim”.

“Investimet e bëra nga PIF kalojnë përmes një procesi të komisioneve të shumta dhe janë të përqendruara në sektorët kryesorë të tij, në përputhje me mandatin dhe strategjinë e fondit,” tha ai.

Kompanitë gjithashtu nuk po e çajnë më rrugën drejt derës së Riadit në kërkimin e parave të lehta e të gatshme me ritmin që ishin dikur, thonë bankierët.

“Interesi i klientit është zvogëluar materialisht, pjesërisht sepse ne po kontrollojmë më me kujdes, pjesërisht sepse nuk ka pasur një sasi të madhe suksesi nga këto përpjekje dhe promocione,” tha bankieri me bazë në Dubai.

“Njerëzit e kuptojnë se nuk ka të bëjë vetëm me paraqitjen dhe pritjen e një çeku.”

Është një kontrast i dukshëm me vitet e hershme të shndërrimit dramatik të PIF nga një kompani mbajtëse shtetërore e fjetur me rreth 150 miliardë dollarë aktive nën menaxhim në 2015, në një nga fondet sovrane më aktive dhe ambicioze në botë.

Ringritja u drejtua nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, i cili mori përsipër të kryesojë fondin në vitin 2015, duke i dhënë detyrën për të drejtuar planet trilionë dollarësh të Riadit për të diversifikuar ekonominë dhe për të projektuar mbretërinë në skenën globale.

Ndërsa u përpoq të rriste me shpejtësi ekspozimin e saj të huaj nga pothuajse zero në objektivin e saj prej 24 për qind të portofolit të saj, ajo bëri bujë me një sërë marrëveshjesh të profilit të lartë, duke përfshirë pompimin e 45 miliardë dollarëve në Fondin Vizion të SoftBank në 2016 dhe 20 miliardë dollarë në një fond të infrastrukturës nga Blackstone vitin e ardhshëm.

Në vitet që pasuan, ajo ka shpenzuar para në një gamë të larmishme sektorësh nga prodhuesi i makinave elektrike “Lucid” tek sipërmarrja e saj e diskutueshme “LIV Golf”, një grup linjash lundrimi, miniera, asete sportive dhe firma lojërash.

Ajo gjithashtu derdhi dhjetëra miliarda në tregjet e kapitalit amerikan dhe evropian dhe injektoi 2 miliardë dollarë në një sipërmarrje private të kapitalit të krijuar nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.

Fuqia e lëvizjeve përkoi me shtrëngimin e likuiditetit në pjesë të tjera të botës, duke shënjuar sauditët dhe shtetet e tjera të Gjirit të pasura me naftë si burime të duhura për financim.

Kjo ndjenjë u rrit pasi pushtimi i Ukrainës nga Rusia i çoi çmimet e energjisë në nivelet më të larta shumëvjeçare, duke krijuar një bum në Gjirin Persik dhe duke ndihmuar sauditët të shënonte një suficit buxhetor në vitin 2022, i pari në pothuajse një dekadë.

Por që atëherë, mbretëria ka ulur prodhimin e naftës në një përpjekje për të stabilizuar uljen e çmimeve të naftës së papërpunuar. Kjo ka goditur të ardhurat e qeverisë dhe e ka kthyer buxhetin në një deficit, me Riadin që po përballet me angazhime masive financiare për të financuar planet e zhvillimit. Marrëveshjet kanë dështuar gjithashtu, thonë bankierët.

Jon Rahm i Spanjës në një garë golfi LIV

“Për tetë vitet e fundit, Arabia Saudite ka dalë në pjesën tjetër të botës me një dorë të shtrirë për para. Tani dora po mbyllet dhe po tërhiqet përsëri në vend”, tha një bankier investimesh me qendër në Londër. “Është pjesë e strategjisë së maturimit. Ata nuk mund të kishin ecuar kështu përgjithmonë.”

Sipas dosjeve në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim të SHBA-së, stoqet e tregtuara të PIF në SHBA ranë nga rreth 35 miliardë dollarë në fund të vitit 2023 në 20.5 miliardë dollarë në fund të qershorit. Kjo përfshin shitjen e aksioneve të saj në BlackRock dhe asgjësimin e zotërimeve të saj në “Carnival”, kompaninë e linjës së lundrimit dhe grupin argëtues Live Nation.

Zyrtarët sauditë thonë se ambiciet e mbretërisë nuk kanë ndryshuar dhe se ka ende një veprimtari të rëndësishme që po zhvillohet me punën që vijon në një varg projektesh të mëdhda. Por ministri i Financave Mohammed al-Jadaan tha në një konferencë në prill se Riadi do “rregullohet” siç kërkohet.

“Ne do zgjerojmë disa nga projektet, do zvogëlojmë disa projekte, do përshpejtojmë disa projekte,” tha ai.

Një ekzekutiv në një menaxher asetesh me bazë në SHBA shtoi se Princi Mohammed ishte i përqendruar në ndërtimin e infrastrukturës.

“Sauditët janë zhvendosur në mënyrë domethënëse në projektet e rritjes së brendshme,” tha ekzekutivi. “Ata kanë një ambicie të guximshme për atë që duan të bëhen.”

Një tjetër bankier me bazë në Londër tha se me perspektivën e financimit “jo aq komode sa ata duan të jenë, ata duhet të bëjnë disa zgjedhje të vështira”.

“Kjo është e arsyeshme dhe ata po bëhen më të pjekur, nuk po shkojnë për t’u bërë trokë. Por kjo do të thotë se është më pak fitimprurëse për bankierët,” tha ai.

“Aspekti tjetër është se sauditët janë lodhur duke qenë një depo parash dhe janë jashtëzakonisht dyshues ndaj përfituesve. Ata duan që njerëzit të futen seriozisht në valle.”

Ai shtoi se ndryshimi i ritmit ishte një “çështje ciklike” në përputhje me rënien e të ardhurave nga nafta, duke thënë se tërheqja afatgjatë e Arabisë Saudite është “ende shumë e fortë sepse ata kanë shumë për të bërë nga perspektiva e zhvillimit”.

I brendshmi i PIF tha se fondi po përqendrohej më shumë në investimet strategjike në kontrast me vitet e para të shndërrimit të tij, kur ai “po kërkonte të shpërndante shpejt para në zona të caktuara”.

PIF hodhi poshtë zotërimet e saj në kompaninë lundruse Carnival

“Ka një pushim për sa i përket shpenzimeve, padyshim që investimet globale nuk do jenë atje në një mënyrë të madhe gjatë dy deri tre viteve të ardhshme,” tha një ekzekutiv saudit. Do ketë përjashtime, shpjegoi ai, veçanërisht në fushat që mendohet se i shtojnë vlerë mbretërisë, si prodhimi, inteligjenca artificiale dhe teknologjia.

“Ata po ua bëjnë të ditur këtë bankave se është një çësshtje shumë e fshehtë,” tha ekzekutivi.

Shpenzimet po vijojnë në shtëpi, me PIF që synon të investojë të paktën 40 miliardë dollarë në vit në mbretëri pasi mbikëqyr një sërë projektesh të mëdha ndërsa zhvillon industri të reja, duke përfshirë turizmin, sportin, minierat dhe prodhimin.

Riadi gjithashtu duhet të përgatitet si mikpritës i një sërë ngjarjesh ndërkombëtare, duke përfshirë Kupën e Azisë së futbollit në 2027, Lojërat Aziatike Dimërore në 2029 dhe Expo 2030. Përveç kësaj, ai është ofertuesi i vetëm për Kupën e Botës FIFA 2034.

Ekzekutivi shtoi se filialet e PIF – duke përfshirë “Riyadh Air”, një linjë ajrore e re, “Savvy”, një entitet lojërash dhe “Ma’aden”, kompania minerare – po e bëjnë pjesën më të madhe të investimit vetë ndërsa kërkojnë të përmbushin objektivat e tyre.

“Ka shumë aktivitet në kompanitë që janë pjesë e PIF, jo në nivel PIF-i”, tha bankieri me bazë në Dubai.

Ai shtoi se “kuletat” e bankierëve do kalojnë më shumë nga marrëveshjet e investimeve në financim teksa qeveria dhe PIF rritin borxhin. Riadi ka mbledhur tashmë rreth 37 miliardë dollarë këtë vit.

“Nuk është domosdoshmërisht një ndryshim strategjie, është një evolucion,” tha ai.

VINI RE: Ky material është pronësi inteletuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani