Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e dyfishtë në Velipojë, arrestohen dy persona, dy  vëllezërit ende në kërkim


Dy persona janë arrestuar lidhur me vrasjen e dyfishtë në plazhin e Velipojës mbrëmjen e djeshme.

Në pranga kanë përfunduar 29-vjeçari Marjo Pali dhe 26-vjeçari Zyber Zagradi i cili mbeti i plagosur në këmbë.

Ndërkohë në kërkim janë autorët e dyshuar të krimit, vëllezërit Eduart dhe Gëzim Frroku, pronarë të hotelit “Holiday”.

Sipas policisë, dy të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në sherrin e ndodhur mes dy vëllezërve dhe viktimave, 33-vjeçarit Ersild Ishmi dhe kunatit të tij, 22-vjeçarit Arsid Hoxha.

Xhaxhai i autorëve të akuzuar për vrasjen e dyfishtë ka lëshuar akuza në drejtim të prokurorëve e gjyqtarit që ka lënë të lirë viktimën Ishmi, i cili u arrestua fillimisht pas një përplasjeje të ndodhur rreth dy muaj më parë.

Vëllezërit Gëzim e Eduart Frroku

Viktima Ersild Ishmi

“Velipojë/Informacion shtesë

Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, në Velipojë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit A. H. dhe E. I., ju informojmë se:

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të kryera menjëherë pas ngjarjes:

-Sektori për Hetimin e Krimeve të Renda i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ndaloi shtetasin M. P., 29 vjeç, banues në Shkodër;

-në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Lezhës, u ndalua shtetasi Z. Z., 26 vjeç, banues në Dibër.

Këta 2 shtetas, punonjës në një lokal në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja e mbremshme, dyshohet se janë përfshirë në konfliktin ndërmjet shtetasve E. F., G. F., A. H. dhe E. I..

Shtetasi Z. Z., rreth orës 23:20, është paraqitur për të marrë mjekim, në spitalin rajonal të Lezhës, i dëmtuar lehtë në këmbë, me armë zjarri. Ai dyshohet se është plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të strukturave në varësi të saj, të mbështetura nga grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, vijojnë intensivisht kërkimet për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve E. F. dhe G. F..

Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po kryhen hetime dhe po fiksohet çdo provë që do të mundësojë dokumentimin ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje, si dhe individualizimin e përgjegjësisë penale së 2 shtetasve të ndaluar.”