Vendosni fjalën kyçe....

Anijet me mbetje toksike/ Ministria e Mjedisit “përplaset” me Doganat, deklaratat kontradiktore


Prokuroria e Elbasanit dhe Durrësit kanë nisur hetimet lidhur me sasinë prej 800 tonelatash mbetje toksike të nisura nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës. Lënda është nisur me 4 korrik dhe ka dalë nga zona e ish-metalurgjikut në Elbasan.

Hetimet janë shtrirë në këto dy qytete ndërsa është ende enigmë mënyra dhe itinerari i transportit të sasisë së madhe të lëndës toksike dhe si është ngarkuar në anije.

Sipas policisë, e dyshuar për transportin e mbetjeve toksike është kompania “Sokolaj”,  e cila është nënkontraktuar.

Dogana Shqiptare nga ana e saj nëpërmjet një deklarate të pasdites së sotme ka sqaruar se ngarkesa në fjalë është koncentrat zinku i një kompanie me bazë në Kosovë, Apelbaum ndërsa Shqipëria është përdorur vetëm për tranzit ndërkombëtar.

Megjithatë kjo bie ndesh me deklaratën e Ministeisë së Mjedisit. Sipas saj, e cituar nga Report Tv, mbetjet toksike kanë dalë nga një kompani ndërkombëtare që operon pranë kompleksit të ish-Metalurgjikut në Elbasan.

Deklarata e Ministrisë së Mjedisit u përgënjeshtrua nga kompania “Kurum” sipas së cilës mbetjet toksike nuk i përkasin asaj dhe se ajo ndjek e zbaton të gjitha rregullat për trajtimin e mbetjeve.

Lajmi i kapjes së anijeve me rreth 100 kontejnerë me 800 ton lëndë toksike u publikua nga Bloomberg pak ditë më parë. Anija me lëndë toksike pritet të kthehet sërish mbrapsht në Portin e Durrësit me anijet e kompanisë lundruese “Maersk”, “Compton” e “Candor”.