Vendosni fjalën kyçe....

Ende mister fundosja e jahtit të manjatit të teknologjisë Mike Lynch, të zhdukur avokati e shefi i bankës “Morgan Stanley”


Nga e majta, Mike Lynch, Jonathan Bloomer, Steve Chamberlain, Christopher Morvillo

Autoritetet italiane kanë hapur një hetim nëse kapakët që mund të jenë lënë hapur nga anëtarët e ekuipazhit në superjahtin e manjatit të teknologjisë Mike Lynch shkaktuan fundosjen e menjëhershme.

Jahti luksoz “Bayesian” u fundos brenda pak minutash pasi dyshohet se u godit nga një tornado uji, ndërsa ishte ankoruar në brigjet e Porticello në Siçili të hënën në mëngjes.

Ndërsa 15 persona u shpëtuan si pasojë e katastrofës, gjashtë persona janë ende të zhdukur, mes tyre miliardern MIke Lynch, vajza e tij 18-vjeçare Hannah, shefi i bankës “Morgan Stanley” dhe avokati i Lynch në procesin gjyqësor në SHBA Christopher Morvillo dhe bashkëshortja e tij.

Kërkimet për të pagjeturit kanë hyrë në ditën e tretë të mëngjesit të sotëm, me zhytësit që vijojnë përpjekjet e tyre për të arritur te kabinat me shpresën për t’i gjetur.

Një inxhinier ka pohuar se pasagjerët e zhdukur mund të jenë ende gjallë në xhepat e ajrit rreth 50 metra nën ujë, ku ndodhet jahti i fundosur.  

Një ekspert në vendngjarje tha se fokusi i hershëm i hetimit zyrtar për tragjedinë, i nisur nga prokurorët në Termini Imerese aty pranë, do ishte nëse ekuipazhi i jahtit kishte mbyllur kapakët e hyrjes në anije përpara se të niste stuhia.

Hetuesit do të shikonin nëse ishin marrë masat e duhura, duke pasur parasysh parashikimet për mot të keq gjatë natës dhe nëse ndonjë nga anëtarët e ekuipazhit është penalisht përgjegjës.

Jahti “Bayesian”

Shkaqet e mundshmetë fundosjes

Eksperti i lundrimit Sam Jefferson, redaktor i revistës “Sailing Today”, tha gjithashtu se ai beson se kapakët dhe dyert e hapura mund të kenë kontribuar në fundosjen e shpejtë të superjahtit të manjatit të teknologjisë Mike Lynch.

Ai tha: “Unë mendoj se anija u godit shumë fort nga era, ajo ishte fiksuar në anën e saj  dhe më pas upërmbys. Ma merr mendja se të gjitha dyert ishin të hapura sepse ishte nxehtë, kështu që kishte mjaft hapësira dhe dyer të hapura që u mbushën shpejt duke çuar në fundosjen e shpejtë.”

Andrea Ratti, një profesor i dizajnit detar në Universitetin Politeknik të Milanos, tha se një barkë me madhësinë e “Bayesian” do fundosej kaq shpejt vetëm nëse do merrte një sasi të madhe uji brenda një kohe të shkurtër.

Ai sugjeroi se vrimat, dritare ose hapje të tjera mund të jenë lënë të hapura, duke futur ujë.

Të dhënat e motit tregojnë se temperaturat arritën rreth 33 gradë Celsius një ditë para fundosjes, gjë që mund të ketë bërë që pasagjerët e anijes të mbanin dyert e dritaret hapur ndërkohë që flinin.

Ekspertët e motit thonë se një “stuhi e shkurtër, por shumë e dhunshme” që përfshin erëra me shpejtësi më të madhe se 93 milje në orë, goditi zonën, gjë që mund të ketë bërë që direku prej alumini i jahtit të jetë kthyer anash duke e detyruar anijen të fundoset. 

Direku i madh i kombinuar me kabinën relativisht të cekët të jahtit me vetëm 5 metra nën vijën e ujit, mund të ketë bërë që anija të përmbysej më lehtë.

Ekzistojnë gjithashtu teori që temperaturat e nxehtë gjatë natës prej 27 gradësh Celsius mund t’i kenë shtyrë pasagjerët të lënë vrima dhe dritare të hapura.

Jahti

Jahti 183 metra i gjatë u ndërtua në vitin 2008 nga prodhuesi luksoz i anijeve “Perini Navi” në Viareggio, Toscana dhe më parë njihej si “Salute”, që do të thotë ‘shëndet’ në italisht.

Konsulenti teknik dhe eksperti detar Gino Ciriaci i tha faqes italiane Corriere Della Sera edhe nëse direku do ishte prej çeliku nuk do kishte ndryshuar asgjë. Ai tha se një direk kaq i gjatë do kishte ushtruar një presion prej ‘dhjetëra tonësh’ për shkak të erës dhe tha se është ‘normale’ që varka mund të fundoset bazuar në karakteristikat e saj teknike.

“Bayesian” është klasifikuar si një ‘jaht qejfi’ për shkak të gjatësisë, direkut shumë të gjatë prej alumini dhe gjerësisë 11 metra në pikën e tij më të gjerë.

Në rastin e “Bayesian”-it, ai tha se vorbulla ishte aq e dhunshme sa anija u përmbys, u anua dhe e vuri buzën e kuvertës nën ujë dhe në atë çast uji filloi të hynte dhe anija u fundos.

 

Hetimet

Kryeprokurori i Termini Imerese, Ambrogio Cartosio dhe ekipi i tij pritet të intervistojnë së shpejti 15 të mbijetuarit për të përcaktuar se çfarë çoi në fundosjen tragjike të jahtit “Bayesian”.

Ndërkohë një ekip britanik do marrë pjesë gjithashtu në hetim, me një ish-hetues aksidentesh detare që  tha se ata do shikojnë nëse dritaret apo dyert e papërshkueshme nga uji ishin të hapura.

Gavin Pritchard, i cili ishte një hetues kryesor me Degën e Hetimit të Aksidenteve Detare të Mbretërisë së Bashkuar (MAIB) përpara se të tërhiqej në vitin 2022, tha për The Telegraph: “MAIB do dëshirojë të shikojë anijen duke përdorur ose një ROV (automjet të drejtuar nga distance) ose zhytës, për të këqyrur pozicionet e dyerve, kapakëve dhe dritareve të papërshkueshme nga uji.”

Dëshmitë e kapitenit dhe të bashkshortes së Lynch

Një nga të mbijetuarit është gruaja e Lynch, Angela Bacares, e cila është dërguar në spital.

Ajo zbuloi se shenja e parë e rrjedhës së frikshme të ujit që fundosi jahtin luksoz “Bayesian” ishte një ‘anim i lehtë’ që e zgjoi atë.

Gruaja e Lynch tha për La Repubblica se ajo dhe burri i saj u zgjuan në orën 4 të mëngjesit kur anija papritmas ‘u anua’.

Zonja Bacares tha se ata nuk ishin të shqetësuar në atë moment, por se ajo u ngrit përsëri për të parë se çfarë po ndodhte, derisa xhami u thye dhe krijoi konfuzion në bord.

Kapiteni i superjahtit të fundosur të Mike Lynch është një detar “i sprovuar”, i cili ka punuar në anije që kur ka qenë adoleshent. James Cutfield, një 51-vjeçar nga Zelanda e Re, ishte në drejtim të “Bayesian” kur u përmbys dhe u fundos në brigjet e Siçilisë.

Varka me vela u ankorua vetëm disa qindra metra larg bregut të Porticellos në det të qetë kur dyshohet se u godit papritur nga një tornado e dhunshme, pak para orës 5 të mëngjesit të së hënës.

Cutfield foli për herë të parë për tragjedinë nga shtrati i tij në spitalin në Palermo, duke i thënë një gazete italiane: “Nuk e pamë stuhinë që po vinte”.

Mike Lynch e bashkëshortja Angela Bacares

Akuzat në SHBA, marrja e pafajësisë

Barka luksoze ndodhej në ishullin e Mesdheut me manjatin britanik të teknologjisë Mike Lynch, i cili kishte ftuar familjen dhe miqtë për të festuar “jetën e tij të dytë” pasi u lirua nga akuzat për mashtrim në SHBA.

Sipërmarrësi britanik Mike Lynch akuzohej prej vitesh në SHBA për mashtrimi kriminal. Gjyqi nisi në mars ndërsa manjati i teknologjisë u përball me 16 akuza për mashtrim dhe konspiracion në lidhje me marrëveshjen e blerjes së kompanisë së tij nga Hewlett-Packard në 2011. Ai rrezikonte 25 vjet burg nëse do shpallej fajtor.

Dikur i përshëndetur si “Bill Gates i Britanisë”, Lynch shiti firmën e tij të softuerit “Autonomy” te Hewlett-Packard në një marrëveshje që prokurorët thonë se ishte ndërtuar mbi “një seri gënjeshtrash”. Ekzekutivi akuzohet se ka fryrë artificialisht shitjet e firmës së softuerit; mashtroi auditorët, analistët dhe rregullatorët dhe kanosi njerëzit që ngritën shqetësime.

Vetëm një vit pas marrëveshjes prej 11.1 miliardë dollarësh, nga e cila Lynch mori rreth 650 milionë euro, Hewlett-Packard raportoi “parregullsi serioze të kontabilitetit dhe keqinterpretime të drejtpërdrejta” dhe shënoi vlerën e blerjes me 8.8 miliardë dollarë.

Vdekja e bashkëpunëtorit të ngushtë pak ditë më parë

Ish-kolegu dhe i bashkëpandehuri i Mike Lynch në gjyqin e tij për mashtrim në SHBA, vdiq në spital pak ditë para fundosjes së jahtit të Lynch.

Stephen Chamberlain u plagos për vdekje vetëm disa ditë përpara se manjati i teknologjisë miliarder Lynch të zhdukej në brigjet e Siçilisë kur një superjaht u kap në një ‘vorbull’ të frikshme.

Chamberlain, nënkryetari i financave i “Autonomy” së bashku me shefin ekzekutiv Lynch, u godit nga një makinë në Cambridgeshire të shtunën e shkuar  dhe u vendos në reanimacion.

Chamberlain u përball me të njëjtat akuza për mashtrim dhe konspiracion si ish-shefi i tij për gjoja mashtrime për të fryrë vlerën e një kompanie përpara se të shitej. Të dy u liruan nga të gjitha 15 akuzat nga një juri në San Francisko në qershor.

Bashkëpunëtori Steven Chamberlain