Qeveria do përdorë teknologjinë për të përforcuar kontrollin në pikat kufitare. Kjo përfshin identifikimin e qytetarëve duke përdorur foto dhe video përmes kamerave, thuhet në draftin që pritet të hidhetpër diskutim.
“Në pikat e kalimit kufitar, Policia Kufitare dhe e Migracionit është e autorizuar të fotografojë dhe regjistrojë imazhe video-fotografike dhe të përdorë pajisje të tjera automatike, për aq sa ato janë të nevojshme për të verifikuar identitetin e personave dhe për të parandaluar e zbuluar veprat penale, si dhe për të kapur autorët e tyre”, thuhet në draft.
Projektligji parashikon që kamerat të vendosën në vende të dukshme dhe publiku do njoftohet për praninë e tyre.
“Pajisjet instalohen në vende të dukshme dhe publiku informohet për praninë e tyre. Policia Kufitare dhe e Migracionit është e autorizuar të zbatojë sisteme të automatizuara të verifikimit kufitar, ku, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve elektronike, mblidhen të dhëna për identifikim dhe për qëllim të verifikimit kufitar të automatizuar”, shkruhet më tej në draft.
Pjesë e masës është edhe ngritja e Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, një strukturë e re që do shkëmbejë informacione mes autoriteteve shqiptare e atyre ndërkombëtare.
Po kështu do ketë edhe një zonë të verifikimit kufitar 2 kilometra në brendësi të territorit shqiptar.