Ditën e sotme si Ministria e Mjedisit dhe Doganat dhanë dy deklarata lidhur me ngarkesat e dyshuara me lëndë toksike që kanë dalë nga Porti i Durrësit me destinacion Kinën dhe Tajlandën.
Deklaratat e dy institucioneve u dukën se ishin përplasje e njëra-tjetrës por ato flisnin për dy ngarkesa të ndryshme.
Ndërsa Ministria e Mjedisit foli për dërgesën më të fundit me destinacion Tajlandën ku dyshohet se janë mvetje të kompanive Kurum-Sokolaj, Administrata Doganorë dha sqarim për ngarkesën e bllokuar në muajin prill në Kinë të kompanisë eksportuese të regjistruar në Zvicër “Achro AG”, në pronësi të biznesmenit nga Kosova Jeton Islami.
Dërgesat me mbetje industriale që dolën nga Shqipëria sollën një debat në vendin tonë pas lajmit të publikuar në Bloomberg ku citohej Rrjeti i Veprimit të Bazelit i cili kërkonte që mbetjet të ktheheshin mbrapsht për në Shqipëri. Shkrimi fliste për mbetje të cilat mund të jenë transportuar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria.
Trajtimi i mbetjeve toksike që prodhohen gjatë përpunimit në industri bëhet me kosto të madhe prandaj dhe rreziku që këto mbetje të transportohen në mënyrë të paligjshme është një biznes fitimprurës i lakmueshëm.
Gjithashtu edhe lajmi i publikuar në Bloomberg me denoncimin e Rrjetit të Veprimit të Bazelit e cila është e financuar nga donatorë mund të ketë një anë tjetër të medaljes pasi edhe donatorët janë entitete që mund të kenë interesa përfitimi duke goditur apo mxjerrë zbuluar një biznes të transportimit të mbetjeve toksike me qëllim përfitimin e tregut nëpërmjet nxjerrjes nga loja.