Vendosni fjalën kyçe....

Rusia do ofrojë strehë të sigurt për këdo që do të shpëtojë nga idealet neoliberale të Perëndimit


Sipas një dekreti të nënshkruar nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, Moska do t’i ofrojë ndihmë çdo të huaji që dëshiron t’i shpëtojë idealeve neoliberale të implementuara në vendet që ata jetojnë duke u zhvendosur në Rusi, ku vlerat tradicionale supreme mbretërojnë.

Sipas dokumentit, shtetasit e huaj do të kenë të drejtën të aplikojnë për qëndrim të përkohshëm në Rusi “jashtë kuotës së miratuar nga qeveria ruse dhe pa ofruar dokumente që konfirmojnë njohuritë e tyre të gjuhës ruse, historisë ruse dhe ligjeve bazë”, shkruan agjencia e lajmeve Tass.

Aplikimet mund të bazohen në refuzimin e politikave të vendeve të tyre “që synojnë imponimin e idealeve shkatërruese neoliberale te njerëzit, të cilat bien ndesh me vlerat tradicionale shpirtërore dhe morale ruse”.

Vlerat janë renditur në themelet e politikës shtetërore të Rusisë në këtë fushë, ndërsa qeveria ruse pritet të përpilojë një listë të vendeve që imponojnë qëndrime jo të shëndetshme ndaj qytetarëve të tyre. Ministria e Jashtme është udhëzuar që në shtator të nisë dhënien e vizave tremujore për aplikantët.

Në shkurt, Putin mbështeti idenë e studentes italiane Irene Cecchini se Rusia duhet të lehtësojë rregullat e hyrjes për ata që ndajnë vlerat tradicionale kulturore dhe familjare. Kreu i shtetit ra dakord se çdo rast kërkon një qasje individuale.