Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur bashkëpunim me platformën Tik Tok, për të ndaluar shpërndarjen e përmbajtjeve të dëmshme, si videot ku shfaqet apo nxitet dhunë e çdo lloji, që përmbajnë gjuhë urrejtje, që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut etj.
Kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi, shkruan në rrjetet sociale se se në Tik Tok është hapur për llogari të Autoritetit, një kanal ku do të hidhen përmbajtjet e verifikuara nga ekipet e AMA-s, si të dëmshme, për t’u ndjekur më pas zyrtarisht nga rrjeti social në fjalë për masa të mëtejshme.
Në faqen zyrtare të AMA-s është hapur një kanal i dedikuar, ku mund të raportohen videot e dëmshme, që publiku ndesh gjatë lundrimit në platformën TikTok: https://ama.gov.al/denonco-shkelje-per-tiktok/
“Duke filluar nga sot, ju ftoj të raportoni në linkun e dedikuar, në faqen zyrtare të AMA-s, çdo përmbajtje të dëmshme sipas mendimit tuaj, që shfaq apo nxit dhunë, që përmban gjuhë urrejtje, që shkel të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve, shkruan Krasniqi. “Çdo përmbajtje që cenon liritë tona duhet ndaluar. Bashkërregullimi është tashmë formula e gjithëpranuar për një treg mediatik të dobishëm për të gjithë, dhe ne mund të bëhemi pjesë aktive e këtij proces”