Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi akuza SPAK-ut: I kapur nga Rama e Veliaj, s’ka drejtësi për qytetarët


Ish-deputeti i PD-së Belind Këlliçi denoncoi sot SPAK-un se nuk po vepron ndaj kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj, të cilët sipas tij qëndrojnë pas inceneratorit të Tiranës.

Në fjalën e tij në protestën e përjavshme para bashkisë ai tha se institucioni i drejtësisë është i kapur dhe nuk mund të japë drejtësi për qytetarët.

“Në këtë vend nuk ka drejtësi, edhe pse ka pasur një besim të qytetarëve kur u ngrit SPAK, çfarë kanë parë këto ditë? Një institucion plotësisht të kapur nga Edi Rama dhe Erion Veliaj. Erion Veliaj javën e kaluar shëtiste me jahtin 7 mln euro të Armando Lilos. Nëse sheh gomonen që shëtis unë që e merr për 20 euro, po jahtin e Armando Lilos 7 mln euro e ke parë? Armando Lilo është ai që mburret se i ka mbyllur punët Veliajt me prokurorët që ka çështjet të hapura. SPAK, që ne prisnim të bënte drejtësinë në këtë vend, nuk i përmend as emrin Erion Veliajt. Në këtë godinë strehohet një bandë, një grup i strukturuar kriminal”, tha Këlliçi.

Ish-kandidati i opozitës për bashkinë Tiranë në zgjedhjet e fundit lokale kritikoi ndërkombëtarët që nuk reagojnë për skandalet e bashkisë.

“Unë jam një djalë që jam rritur në këtë qytet, që jam shkolluar në perëndim, por ca të vërteta duhen thënë, sepse për këto skandalet dhe vjedhjet , për heshtjen e SPAK dhe prokurorëve të tij, nuk flasin as ndërkombëtarët. Në Tiranë duhej të kishim një situatë krejt tjetër, kësaj godine duhej t’i ishte vënë dryni, sepse strehon grupin kriminal, ata që vjedhin taksat dhe buxhetin e shqiptarëve”, tha Këlliçi.