Dodë Rica pronari i rrjetit të lokaleve të striptizmit “Club Shqiponja” është arrestuar nga policia e Durrësit pasi është shpallur në kërkim nga drejtësia në Kosovë, ku akuzohen për trafik personash.
47-vjeçari i lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, është ndaluar për llogari të Kosovës, pasi Gjykata e Prishtinës i ka dhënë masën “arrest në burg”, në mungesë.
“Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni kundër Trafiqeve, Durrës, kapën në lagjen nr.13 dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Dodë Ric, 47 vjeç, i lindur në Mirditë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.
Pronar i lokaleve të natës “Club Shqiponja” në Tiranë dhe disa qytete të tjera që prej vitit 2013, ka hapur biznes edhe në Prishtinë në vitin 2022 me emrin “Cyborg Strip Club”.