Të paktën tetë persona janë mbytur dhe shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me rreth 30 emigrantë të paligjshëm që po përpiqej të kalonte lumin Drina nga Serbia në Bosnje u mbyt.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se policia kishte marrë një telefonatë të enjten herët në mëngjes nga homologët e tyre në Bosnje dhe një qytetar që kishte raportuar aksidentin.
Sipas vlerësimeve jozyrtare, numri i njerëzve në varkë kur ajo u përmbys ishte 30, nga të cilët 18 arritën të dilnin në bregun në Bosnje.
Gjashtëmbëdhjetë prej tyre besohet se janë sirianë, ndërsa dy të tjerët janë nga Egjipti. Raportohet se varka mbante 10 të mitur në momentin që u përmbys.
Ekipet e shpëtimit të mbrojtjes civile, policia kufitare boshnjake dhe serbe, zhytës dhe zjarrfikës janë vendosur përgjatë brigjeve të lumit të pyllëzuar në kërkim të të mbijetuarve.
Çdo vit, mijëra emigrantë përdorin të ashtuquajturën rrugë tokësore ballkanike në përpjekje për të arritur në Bashkimin Evropian.
Ata kalojnë në Serbi nga Bullgaria ose Maqedonia e Veriut përpara se të shkojnë në Hungari, Kroaci ose Bosnje.
Për të arritur në vendet e pasura evropiane, njerëzit që ikin nga luftërat dhe varfëria shpesh u drejtohen kontrabandistëve për t’i kaluar ata përtej kufijve pa autorizim.