“Nga 1 janari 2025 pensionistët do udhëtojnë falas në urban” – Veliaj


Pensionistët do udhëtojnë falas në urbanet e Tiranës nga 1 janari 2025.

Kryebashkiaku Veliaj tha se nuk do ketë rritje të çmimit për biletën e shërbimit urban, pavarësisht inflacionit që ka rritur çmimet në fusha të tjera.

Ai tha gjithashtu se stacionet e shërbimit urban do kenë tabela informuese për udhëtarët që do lehtësojnë përdorimin e shërbimit.

“Inflacioni, çmimet janë një stres për pensionistët dhe teksa qeveria po mendon për rritjen e pensioneve, bashkia do të japë kontributin e saj, duke e bërë udhëtimin falas. Do vihen tabelat e reja, sipas një metodologjie që përdoret edhe në Paris, në Londër, apo Nju Jork. Qytetarët do ta dinë saktësisht se ku ndodhet autobusi dhe si mund të lidhen me një linjë tjetër. Për momentin jemi duke punuar në 137 stacione. Nuk do ketë asnjë lëvizje të çmimit, edhe pse inflacioni në 10 vitet fundit ka bërë të vetën dhe çmimet e tjera janë rritur.” – tha Veliaj