Është zbardhur dëshmia e efektivit Erjon Goxhara, i cili u vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme, dy ditë pasi plagosi inxhinierin e ERE-s Lorenc Kosta.
Goxhara u vetëdorëzua i pashoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ndërsa ka pohuar se nuk ka qëlluar me paramendim dhe nuk ka pasur qëllim për ta vrarë.
“Kam qenë në lokal duke drekuar me vajzën time, kam parë Lorenc Kostën rastësisht. Kam çuar diku vajzën dhe jam kthyer ku edhe kam qëlluar ndaj tij. Nuk e kam bërë me paramendim, dhe nuk kam patur për qëllim ta vras. Kam përdorur armën e shërbimit që mbaja me vete.” – tha Goxhara.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në rrugën Komuna e Parisit ku efektivi qëlloi me armën e shërbimit Kostën, me të cilin gruaja e Goxharës kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore. Ata ishin njohur në vendin e punës, ku bashkëshortja e efektivit punonte si juriste ndërsa Kosta si inxhinier. Marrëdhënia jashtëmartesore është pranuar nga bashkëshortja e Goxharës gjatë dëshmisë në polici.
Lorenc Kosta ndodhet i shtruar në spital ku u shtrua pasi kishte marrë disa plumba në pjesën poshtë barkut dhe në këmbë.