Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhet vrasja e 72-vjeçarit në Memaliaj, autori 23-vjeçar u nxit nga fqinjët e viktimës


23-vjeçari Blerti Kanushi është arrestuar nga policia e Gjirokastrës lidhur me vrasjen e 72-vjeçarit Faik Ajdini, tre ditë më parë, krim i ndodhur në fshatin Zhapokikë të Memaliajt. Trupi i të moshuarit u gjet i hedhur në përrua me shenja prerje nga thika në fyt dhe kokë.

Ai dyshohet se është nxitur për vrasjen nga çifti i bashkëshortëve Skënder e Darovi Ajdini, 71 e 64 vjeç, të cilit ishin fqinjë të viktimës dhe kishin probleme me gardhin që i ndante.

Më herët ishin arrestuar nga policia  71-vjeçari Skënder Ajdini dhe i biri, 43-vjeçari Bledar Ajdini.

“Nga dinamika hetimore u konkludua se për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Ajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skëndër Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Shtetasi Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij.” – tha ndër të tjera drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa.