Vendosni fjalën kyçe....

Modi në Kiev: India mbështet integritetin territorial të Ukrainës


Duke hedhur poshtë kritikat për “heshtjen” e Indisë ndaj luftës ruso-ukrainase, kryeministri indian Narendra Modi deklaroi sot se New Delhi “mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin” e Ukrainës, raporton Anadolu.

“Ne nuk jemi neutralë”, i tha Modi presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyt për luftën Rusi-Ukrainë.

“Qëllimi ynë është paqja dhe unë kam ardhur këtu me një mesazh paqeje“, shtoi ai.

Modi është kryeministri i parë indian që viziton Ukrainën që kur të dyja palët vendosën marrëdhënie diplomatike në vitin 1991. Duke shprehur dhimbje të thellë për viktimat civile, Modi i tha Zelenskyyt: “India qëndron me Ukrainën”.

Që kur Moska filloi “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë, India nuk e ka dënuar luftën e Rusisë ndaj fqinjit të saj. India, një aleat kyç i SHBA-së, ka pasur marrëdhënie historike me Rusinë që nga epoka e Luftës së Ftohtë.

Udhëtimi i Modit në Kiev vjen disa javë pasi ai vizitoi Rusinë për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin. “Për paqen, si mik, jam gati të kontribuoj”, i tha Modi Zelenskyyt, duke shtuar se dialogu dhe diplomacia janë rruga përpara.

“Konflikti është veçanërisht shkatërrues për fëmijët e vegjël. Zemra ime është me familjet e fëmijëve që humbën jetën dhe lutem që ata të gjejnë forcën për të duruar pikëllimin e tyre”, tha Modi, pasi bëri homazhe në Ekspozitën Martirologe në Kiev.