Policia e Tiranës ka arrestuar Fatjon Dautin i cili u përfshi më 22 gusht në një sherr me dy persona të tjerë pas një aksidenti mes dy makinave.
29-vjeçarit iu gjet një sasi kanabisi pas kontrollit fizik si dhe arma e gjetur në vendin ku ndodhi sherri pas analizave të provave sipas policisë i përkiste Dautit.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Adem Noreci, 29 vjeç, Mario Barjamaj, 25 vjeç dhe Isuf lika, 24 vjeç.
“Në vijim të njoftimit paraprak të dhënë ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin F. D., 29 vjeç, banues në Krumë, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 278 dhe 283 të Kodit Penal.
Gjithashtu po punojnë për kapjen e shtetasve A. N., 29 vjeç, banues në Tiranë, M. B., 25 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. L., 24 vjeç, banues në Domje.
Ditën e djeshme, në afërsi të rrethrrotullimit të Teg-ut, shtetasi F. D., me shtetasin A. N., janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit M. B., dhe I. L.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila nga këqyrja e pamjeve filmike i përket shtetasve F. D. dhe A. N.
Gjithashtu gjatë kontrollit fizik shtetastit F. D., shërbimet e Policisë, i gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me armën e zjarrit.
Materialet i kaluan Prokurorisë”-thuhet në njoftimin e policisë.
Dinamika e ngjarjes
Parakalimi i gabuar, i cili u bë shkak për thyerjen e pasqyrës së një ‘Audi A8’ ndërmjet dy makinave, çoi në përplasje fizike mes dy personave mesditën e sotme në rrethrrotullimin e TEG-ut.
Dy vajza, kanë përplasur mjetet e tyre, dhe më pas dy të afërm të tyre kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë konfliktuar me sende të forta. I plagosur mbeti Fatjon Dauti i cili u konfiltua me Marjo Baramin.