Vendosni fjalën kyçe....

Francë/ Makina shpërthen pranë një sinagoge, plagoset një oficer policie


Një oficer policie u plagos kur një makinë shpërtheu në flakë në parkimin e një sinagoge në qytetin jugor francez La Grande-Motte të shtunën, njoftuan zyrtarët, duke e cilësuar incidentin si një sulm të qëllimshëm dhe duke thënë se do të rritet siguria në institucionet hebraike.

Policia është në kërkim të një të dyshuari dhe zyra e prokurorit kundër terrorizmit është vënë në krye të hetimit, tha Kryeministri Gabriel Attal, sipas Reuters.

“Ky është një sulm antisemitik. Edhe një herë, bashkatdhetarët tanë hebrenj janë në shënjestër,” shkroi Attal në X, duke shtuar: “Ne nuk do të dorëzohemi. Përballë antisemitizmit, përballë dhunës, ne nuk do të lejojmë kurrë që të intimidohemi.”

Franca, ashtu si edhe vendet e tjera të Evropës, ka parë një rritje të incidenteve antisemite pas sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe sulmit hakmarrës të Izraelit në Gaza.

Mediat lokale raportuan se dy makina, njëra prej të cilave përmbante të paktën një bombulë gazi, u vunë në zjarr në zonën e parkimit të sinagogës rreth orës 8:30 të mëngjesit (0630 GMT).

“Shpërthimi i një bombule gazi në një makinë përpara sinagogës së Grande Motte në kohën e pritur të mbërritjes së besimtarëve: nuk është vetëm një sulm ndaj një vendi kulti, është një përpjekje për të vrarë hebrenj,” tha Yonathan Arfi, kreu i CRIF, një organizatë ombrellë e grupeve hebraike franceze, në X.

William Maury, nga sindikata e policisë Alliance Police Nationale, i tha BFM TV se jeta e oficerit të policisë së plagosur nuk është në rrezik. Policia konfirmoi përpjekjen për zjarrvënie, por nuk dha më shumë detaje.

Attal dhe Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin do të vizitojnë sinagogën më vonë të shtunën.

Darmanin tha se mbrojtja policore e sinagogave, shkollave dhe dyqaneve hebraike do të forcohet në të gjithë Francën.