Prokurori Raffaele Cammarano në lidhje me tragjedinë e mbytjes së jahiti në Siçili, ka deklaruar se pasagjerët mund të mos kenë mundur të shpëtonin sepse ishin në gjumë.
Gjatë një konference për shtyp, ai sugjeroi se viktimat “ishin në gjumë, ndërsa të tjerët jo”.
Kur u pyet nëse dikush kishte qenë i pranishëm në atë kohë për t’i paralajmëruar, z. Cammarano tha: “Kjo është pikërisht ajo që po përpiqemi të përcaktojmë nga deklaratat e bëra gjatë marrjes në pyetje të të mbijetuarve – një pikë thelbësore në hetim, sigurisht”, përcjell The Guardian.
Gjatë konferencës për shtyp, Rear Admirali Raffaele Macauda, drejtor detar për Sicilinë perëndimore, deklaroi se nuk është ende e qartë sa kohë do të duhet për të rikuperuar mbeturinat e jahtit nga fundi i oqeanit.
Admirali shpjegoi se uji në zonën ku anija u mbyt është rreth 50 metra i thellë dhe se përgjegjësia për rikuperimin e tij i përket pronarëve të jahtit.
“Çdo gjë varet nga disponueshmëria e pronarëve dhe koha e rikuperimit të mbeturinave,” tha ai. “Sigurisht, e gjithë kjo duhet t’i paraqitet autoriteteve portuale dhe paralelisht, natyrisht, do të ketë rezultatet e hetimit dhe vetëm atëherë do të mund të autorizojmë operacionin.”
Ai shtoi se rikuperimi i tankeve të karburantit të anijës do të ishte një përparësi për shkak të ndikimit të mundshëm mjedisor që ato mund të kenë.