Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria sekuestron dokumentet e kompanive “Kurum” dhe “Sokolaj”


Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialit dhe dokumente të tjera të cilat kanë lidhje me transportimin nëpërmjet dy anijeve me rreth 816 ton lëndë toksike të dyshuara nga Shqipëria drejt Tajlandës.

Gjatë javës është sekuestruar dokumentacioni i kompanisë turke “Kurum International” që dyshohet se ka prodhuar mbetjet toksike të cilat më pas i ka shitur tek kompania “Sokolaj” që ka organizuar transportin në drejtim të Tajlandës. Gjithashtu janë sekuestruar edhe dokumentet e kompanisë “Sokolaj” si eksportuese të mbetjeve. Kjo e fundit merret me import-eksport mineralesh është në pronësi të Gjovana Sokolajt.

Gjithashtu prokuroria e Durrësit urdhëroi gjatë javës sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialit dhe dokumente të tjera pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, Ministrisë së Mjedisit.

Pas administrimit të dokumenteve, prokuroria do nisë marrjen në pyetje personat që kanë pasur lidhje me këtë ngarkesë apo me dokumente të përpunimit të materialeve.

Ngarkesa e bllokuar në Tailandë po kthehet mbrapsht dhe anijet janë ende është në udhëtim. Me të mbërritur në portin e Durrësit, do merren kampionë për t’i analizuar. Megjithatë në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit thanë që nuk do i lejojnë anijet me lëndë të dyshuara toksike të ankorohen në port pa dalë analizat dhe pa u mbyllur hetimet.

Më herët kompania turke Kurum mbylli dyert duke ndalur punën, vendim që ka prekur 500 familje në Elbasan.

Zyrtarisht ndërprerja e punës është bërë për remont dhe ristrukturim.