Vendosni fjalën kyçe....

SHBA njofton ndihmë të re ushtarake prej 125 milionë dollarësh për Ukrainën


Administrata e Presidentit Biden po dërgon rreth 125 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, tha të premten Departamenti i Mbrojtjes, ndonëse Uashingtoni po punon për të kuptuar më mirë ndikimin afatgjatë të inkursionit të Kievit në Rusi më shumë se dy vjet pas fillimit të luftës në shkallë të gjerë.

Ndihma e fundit ushtarake përfshin raketa të mbrojtjes ajrore, municione për sistemet raketore “HIMARS”, “Javelins” dhe një sërë raketash të tjera anti-tank, sisteme dhe pajisje anti-dronë dhe pajisje të tjera.

Njoftimi zyrtar u bë të premten, një ditë para Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

Ndihma njoftohet ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë të zgjerojnë ofensivën e tyre të befasishme në Rusi, ku zyrtarët ukrainas thonë se kanë marrë rreth 100 kilometra katrorë territor në rajonin e Kurskut. Trupat ruse, ndërkohë, po përparojnë në rajonin Donetskut në Ukrainën lindore, rreth qytetit të Pokrovskit, një qendër e rëndësishme logjistike për ushtrinë ukrainase.

Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara po bisedojnë me udhëheqësit ukrainas për të marrë një vlerësim më të mirë të qëllimeve të tyre afatgjata me operacionin në Kursk, veçanërisht pas përparimit të Rusisë në zonën e Pokrovskit.

Nëse qyteti i Pokrovskit bie, disfata do të rrezikonte mbrojtjen e Ukrainës dhe do ta afronte Rusinë tek qëllimi i saj për të pushtuar plotësisht rajonin e Donetskut. Ushtarët rusë janë tani vetëm 10 kilometra larg Petrovskit.

E pyetur në lidhje me operacionin në Kursk, zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh tha të enjten se “ne jemi ende duke punuar me Ukrainën për të kuptuar rolin e kësaj ofensive në objektivat e tyre luftarake”.

Shtetet e Bashkuara, tha ajo, e kuptojnë se Ukraina dëshiron të ndërtojë një zonë neutrale përgjatë kufirit, por administrate amerikane ka ende më shumë pyetje se si kjo do ta çonte përpara përpjekjen më të gjerë të luftës së Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski bëri vizitën e tij të parë të enjten në zonën kufitare nga ku forcat e tij nisën ofensivën më 6 gusht. Ai tha se ushtria ukrainase kishte marrë nën kontroll një fshat tjetër rus dhe kishte kapur më shumë robër lufte.

Ndihma e fundit e çon shumën totale të ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën në më shumë se 55.7 miliardë dollarë që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022./VOA