Kur 38-vjeçarja Paetongtarn Shinawatra u betua si kryeministre e Tajlandës të dielën e kaluar, betimi i saj shënoi tre çaste historike.
Së pari, ajo u bë kryeministrja më e re ndonjëherë e kombit të rëndësishëm të Azisë Juglindore.
Së dyti, ajo riktheu në pushtet familjen Shinawatra për herë të parë në një dekadë, pasi halla e saj Yingluck Shinawatra u rrëzua nga një vendim gjyqësor në vitin 2014 dhe babai i saj Thaksin Shinawatra, një manjat që dikur zotëronte Manchester City-n, u rrëzua në një grusht shteti të vitit 2006. Së treti, emërimi i saj do të thotë se 6 nga 10 kombet e Azisë Juglindore do sundohen nga dinastitë familjare.
Ndërsa rrjetet e patronazhit dhe nepotizmi janë të zakonshme në politikë në mbarë botën, ajo që bie në sy në Azinë Juglindore është se si familjet politike po rilindin si në sistemet demokratike ashtu edhe në ato jodemokratike. Ju mund t’i gjeni ato nga Filipinet dhe Indonezia, ku zgjedhjet kontestohen fort, deri te demokracitë e pjesshme si Tajlanda dhe shtetet njëpartiake si Laosi dhe Kamboxhia.
Me mbi 670 milionë njerëz dhe një ekonomi që është e pesta më e madhe në botë, Azia Juglindore është kthyer në një pikë të konkurrencës gjeopolitike midis SHBA-së dhe Kinës. Diplomatët e huaj dhe drejtuesit e biznesit që duan të fitojnë ndikim dhe të përfitojnë duhet të kuptojnë këto dinamika familjare nëse duan të kenë sukses.
Krahas Paetongtarnit, katër kombe të tjera të Azisë juglindore udhëhiqen nga fëmijët e ish-sundimtarëve: Bongbong Marcos në Filipine, Hun Manet në Kamboxhia, Sonexay Siphandone në Laos dhe Sulltan Hassanal Bolkiah në Brunei. Indonezia do t’i bashkohet klubit kur Praboëo Subianto të bëjë betimin si president në tetor.
Ish-dhëndri i udhëheqësit autoritar prej një kohe të gjatë Suharto dhe djali dhe nip i politikanëve kryesorë indonezianë, Praboëo do ketë gjithashtu Gibran Rakabuming Raka, djalin e presidentit në largim Joko Widodo, si zëvendëspresident. Në Mianmar, Aung San Suu Kyi, e bija e babait themelues Aung San, ishte liderja e zgjedhur derisa u largua në një grusht shteti ushtarak të vitit 2021.
Mbizotërimi i familjeve politike pasqyrohet në sektorin e biznesit dhe në politikën lokale. Ai pasqyron një dështim më të gjerë për të ndërtuar institucione të fuqishme dhe efektive që shpërndajnë pushtetin dhe të mirat publike dhe sigurojnë qeverisje të përgjegjshme dhe transparente.
Në demokracitë konkurruese si Indonezia dhe Filipinet, kostoja e lartë e fushatës zgjedhore dhe mungesa e partive politike të institucionalizuara ofron një dritare për pasardhësit e familjeve politike që përfitojnë nga njohja e menjëhershme e emrit dhe rrjetet e mëdha mbështetëse.
Në sistemet autoritare, familjet e fuqishme mund të manipulojnë sistemin politik në avantazhin e tyre në mënyra më të drejtpërdrejta.
Paetongtarn, për shembull, ka të ngjarë të mos ishte bërë kryeministre pa përpjekjet e suksesshme të elitës tajlandeze për të shuar opozitën duke minuar dhe më pas duke ndaluar partinë progresive dhe popullore Lëviz Përpara.
Siç argumentojnë trashëimgtarët e dinastive familjare politike kudo, prejardhja e tyre nuk duhet t’i pengojë ata nga karriera. Konglomeratet familjare në Azinë Juglindore janë treguar jashtëzakonisht elastike gjatë krizës financiare aziatike të vitit 1997, krizës financiare globale të vitit 2008 dhe Covid-19.
Megjithatë, suksesi i tyre shpesh ka sjellë koston e rivalëve më konkurrues vendas dhe ndërkombëtarë, duke i përballur konsumatorët e Azisë Juglindore me çmime më të larta për mallrat dhe shërbimet e tyre. Në mënyrë të ngjashme, në sferën politike, mbizotërimi i familjeve të tilla mbyt konkurrencën e ardhshme.
Megjithatë, në Filipine dhe Indonezi, qytetarët zgjodhën politikanët dinastikë në gara gjerësisht të lira dhe të drejta. Votuesit dukej se ishin të tërhequr nga stabiliteti i perceptuar i emrave të njohur në një kohë kur pozicioni ekonomik dhe gjeopolitik i Azisë Juglindore është nën presion të ri.
Tendenca është gjithashtu më e lehtë për t’u kuptuar në kontekstin e historisë moderne të Azisë juglindore, e cila nuk kishte shtet-kombe të pavarura përveç Tajlandës përpara vitit 1945. Për mirë dhe për keq, familjet politike kanë qenë thelbësore për ndërtimin dhe zhvillimin e këto vende të reja.
Megjithatë, ata nuk duhet të marrin asgjë si të mirëqenë. Trashëgimitë dinastike mund të ndihmojnë për të siguruar pushtetin. Por qytetarët do t’i gjykojnë udhëheqësit e tyre nga puna e tyre, jo prindërit e tyre. Kjo është ajo që kanë treguar qytetarët e Bangladeshit, fqinjë me Azinë juglindore. Në fillim të këtij muaji ata rrëzuan kryeministren e papëlqyeshme Sheikh Hasina Wazed, vajzën e liderit themelues të vendit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT