Roxani Kamperou ndjek një rutinë të re verore në shtëpinë e saj të pushimeve në ishullin cikladik të Sifnos. Me të mbërritur, ajo rrëmben veglat metalike, ngre kapakun e cisternës dhe kontrollon nivelin e ujit.
“Mendoj se do të jemi mirë për këtë fundjavë,” i siguron ajo mysafirët e saj.
Mungesa e ujit bëri që Sifnos t’u bashkohej 14 bashkive greke në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në qershor. Ishulli u përball me ditë të tëra pa furnizim me ujë në disa zona, ndërsa të tjerat kishin racione të rrepta, duke siguruar ujë vetëm në orë të caktuara. Disa bashki morën me qira njësi të shkripëzimit për të përmbushur kërkesën gjatë verës, duke u mbështetur gjithashtu në anije cisterna uji me kosto të lartë.
Në një vit që ka qenë më i nxehti i regjistruar në nivel global, Greqia ka përjetuar dimrin e saj më të ngrohtë, e ndjekur nga një nga verat më të nxehta.
Në qershor dhe korrik, Athina përjetoi muajt e saj më të nxehtë të regjistruar, pasi temperaturat i kalonin vazhdimisht 40 gradë Celsius gjatë ditës dhe arrinin në 30 gradë Celsius gjatë natës. Reshjet ishin gjithashtu dukshëm më të ulëta se norma historike.
Problemi i mungesës së ujit është shtrirë përtej Greqisë, pasi Evropa zë vendin e saj në historinë moderne njerëzore si kontinenti që ngrohet më shpejt në botë.
Mijëra banorë të qytetit sicilian të Agrigento-s dolën në rrugë me tabelat “duam ujë” në një protestë në fillim të këtij muaji, pasi duruan muaj të tërë mungesë uji.
Racionimi i ujit në Siçili u vendos në mars, duke prekur 93 komuna dhe 850,000 njerëz. Një anije detare u vu në shërbim për të furnizuar me ujë qytetet bregdetare të goditura nga thatësira dhe 20 milionë euro u ndanë për të rregulluar infrastrukturën e saj të dëmtuar. Autoritetet planifikojnë gjithashtu të shpenzojnë 90 milionë euro për ringjalljen e tre impianteve të vjetra të shkripëzimit.
Ndërsa stuhitë më të fundit të dhunshme që prekën ishullin sollën reshje shiu në disa zona, ato ishin të parregullta dhe jo të mjaftueshme për të zgjidhur krizën afatgjatë.
“Ajo për të cilën kemi paralajmëruar prej vitesh, kërcënimi nga shkretëtirëzimi, tani po bëhet realitet”, tha Chrysi Laspidou, Profesoreshë e inxhinierisë civile në Universitetin e Thesalisë.
“Por ne, si shkencëtarë, jemi të befasuar nga shpejtësia me të cilën po ndodhin këto ndryshime.”
Ashtu si në shumë pjesë të Mesdheut, një numër rekord turistësh në Greqi dhe një bum ndërtimi për të akomoduar vizitorët sezonalë ka përkeqësuar presionin mbi furnizimet.
Sifnos, pjesë e Cyclades perëndimore, një nga zonat më të thata të Greqisë, ka një popullsi të përhershme prej rreth 2,600 banorësh , por numri i vizitorëve u rrit në më shumë se 135,000 në vitin 2023, gati dyfishi i numrit të një dekade më parë. Fluksi ka tensionuar infrastrukturën e tij të kufizuar.
“Mbiturizmi në vetvete nuk është problemi,” tha Harry Sachinis, shefi ekzekutiv i “Eydap”, kompania e shërbimeve të ujit në Athinë.
“Një ishull ka nevoja shumë të larta për ujë dhe kanalizime për tre muaj dhe nevoja minimale për pjesën tjetër të vitit. Çfarë ndërtoni, si e ndërtoni, me çfarë kostoje dhe kush do ta paguajë?”
Ndërtimi që përfshin parcela të mëdha që kthehen në vila me pishina dhe kopshte dhe banjo të shumta ka anashkaluar kufizimet natyrore të ujit të ishujve. Shumica e nevojave të banorëve plotësoheshin nga uji i shiut i mbledhur në cisternat e tyre dhe shpimi i puseve për ujë të pijshëm.
Pavlos Lazos, një fotograf vendas i Sifnos, botoi një libër me punën e tij vitin e kaluar në lidhje me mungesën e ujit të ishullit. Ai kujton se si kishte shëtitur me gjyshin e tij për të mbushur shishet me ujë nga puset.
“Sot, shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo nevoja për menaxhim efikas të ujit,” tha ai.
Në mungesë të një plani të centralizuar, kryebashkiakët e disa ishujve të vegjël cikladik po veprojnë vetëm. Kryetarja e bashkisë së Sifnos Maria Nadali përshkroi ankthin e saj ndërsa mbikëqyrte rezervuarët e ujit dhe konsumin e ishullit në kohë reale në qershor.
“Duke parë nivelet e konsumit të ujit në qershor, ne kuptuam se nëse do vijonim me atë ritëm, nuk do kishim mjaftueshëm deri në tetor.”
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, tha ajo, rriti ndërgjegjësimin e vizitorëve dhe banorëve, si dhe siguroi një bazë për racionimin. Turistët zakonisht përdorin dy deri në tre herë më shumë ujë për kokë sesa vendasit, për larjen më të shpeshtë të çarçafëve dhe peshqirëve, dusheve dhe mbushjes së pishinave.
“Ne duhej të siguroheshim që të gjithë të ishin të vetëdijshëm për mungesën e ujit,” tha Nadali.
Impiantet e shkripëzimit janë një prani në rritje në shumë ishuj grekë. Tani ka 57 njësi dekripëzimi që operojnë vetëm në Ishujt Egje, dy herë më shumë se një dekadë më parë. Ishujt si Syros varen tërësisht prej tij, ndërsa të tjerët, si Sifnosi, mbështeten shumë tek ai.
Megjithatë, shkripëzimi sjell probleme të tjera, duke përfshirë konsumin e lartë të energjisë dhe shqetësimet mjedisore që lidhen me depozitimin e mbetjeve. Pavarësisht potencialit të bollshëm të energjisë diellore dhe të erës të ishujve, shumica e njësive funksionojnë nga lëndët djegëse fosile.
“Kemi det dhe shumë ujë, por ta bësh të pijshëm kërkon energji të mëdha,” tha Laspidou, Profesore e Inxhinierisë Civile.
“Nëse energjia vjen nga lëndët djegëse fosile, atëherë kemi emetime të mëdha që ndikojnë në ngrohjen globale.”
“Shkripëzimi prodhon gjithashtu sasi të konsiderueshme shëllirë, e cila dëmton ekosistemet detare,” shtoi ajo.
“Unë do të sugjeroja shkripëzimin vetëm nëse është zgjidhja e fundit.”
Kostoja e ujit të shkripëzuar, duke përfshirë energjinë dhe shpërndarjen, shpesh tejkalon çmimin që u ngarkohet konsumatorëve, duke çuar në një mungesë për bashkinë prej diku midis 40 dhe 70 për qind. Ky boshllëk financiar detyron Greqinë të subvencionojë shërbimin, duke çuar në një rreth vicioz deficitesh më të mëdha, duke penguar më tej përmirësimet e infrastrukturës.
Mungesa kronike e planifikimit të centralizuar të menaxhimit të ujit do të thotë se mirëmbajtja dhe investimet kanë qenë të rastësishme, ku secila komunë bën gjithçka që mendonte më mirë.
Rregullatori kombëtar grek po përgatit hartën e tij të parë analitike të burimeve ujore këtë vit për të menaxhuar dhe planifikuar për nevojat e ardhshme. Kjo përfshin katalogimin e impianteve të shkripëzimit, vendet e shpimit të ujit dhe personelin e nevojshëm.
“Ne duhet të vendosim strategjinë tonë,” tha Dimitris Psichogios, nënkryetar i Autoritetit Rregullativ për Energjinë, Mbetjet dhe Ujërat.
Ndërsa ardhjet e turistëve vijojnë të rriten në gjithë Evropën Jugore, qeveritë e saj përballen me një nevojë të menjëhershme për të zhvilluar një strategji të menaxhimit të ujit për të ruajtur burimet e çmuara dhe për të mbështetur ekonomitë e tyre.
Së fundmi, Nadal e hoqi Sifnosin nga statusi i emergjencës. Nivelet e ujit ishin më pak të rrezikshëm pasi paralajmërimet u morën parasysh.
“Gjendja është nën kontroll për momentin dhe shpresojmë të vijojmë kështu, por jemi në agoni të vijueshme”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani