Vendosni fjalën kyçe....

Vota e Diasporës, KQZ afat deri në mes të nëntorit për aktet nën-ligjore


Pushimet po mbarojnë edhe për KQZ!

Institucioni më i rëndësishëm i zgjedhjeve, para se të nisë përgatitjet për vitin zgjedhor të 2025, ka përpara një sfidë edhe më të rëndësishme: vënien në jetë të votës së diasporës.

Mesi i nëntorit është afati i fundit që KQZ ka në dispozicion për të nxjerrë të gjitha aktet nënligjore që specifikojnë procedurat për realizimin e votës së diasporës.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit më 15 gusht, Sipas Kodit Zgjedhor, aktet nën-ligjore nxirren 90 ditë pas këtij momenti, shkruan Shqiptarja.com.

 “Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të Rregullatorit, me propozimin e Komisionerit, brenda 90 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.” thuhet në ligj.

Komisioni Rregullator në KQZ ka detyrën jo vetëm të mendojë detajet teknike të procedurave të votimit, por edhe të përcaktojë një çështje shumë të debatuar që palët politike nuk e zgjidhën dot vetë, që janë dokumentet që do t’i kërkohen emigratëve që të regjistrohen, në aplikacionin që do të krijohet.

“KQZ krijon, mirëmban dhe përditëson platformën elektronike për rregjistrimin e kërkesave të zgjedhëve që dëshirojnë të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për regjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit.” thotë ligji.

 

Por si do të realizohet vota e diasporës?

KQZ do të krijojë një platformë elektronike për regjistrimin e kërkesave të zgjedhësve që dëshirojnë të votojnë nga jashtë, që do përditësohet.

Regjistrimi i zgjedhësve nga jashtë nis 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date.

Lista përfundimtare publikohet në faqen e KQZ dhe nuk ndryshon për asnjë rrethanë dhe asnjë shkak.

Emri që regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit.

Fleta e votimit do të mbërrijë në banesën e shqiptarëve jashtë vendit me postën e përzgjedhur nga KQZ.

Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit

Votimi nga jashtë mbyllet në ditën e zgjedhjeve dhe KQZ-ja nuk mund të pranojë e përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më pas, me përjashtim të zarfeve me fletë votimi që kanë vulën e hyrjes në Shqipëri deri në orën 12.00 të datë së zgjedhjeve.

Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit numërohen në ambientet e KQZ, sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit para largimit nga Shqipëria.

Numërimi i tyre fillon njëkohësisht me numërimin e kutisë së parë të votimi të zonës zgjedhore përkatëse dhe përfshihen në tabelën e rezultateve të po asaj zone.