Mbështetësit perëndimorë të Ukrainës mund të shkaktojnë Luftën e Tretë Botërore duke i siguruar Kievit armë që mund të përdoren për të goditur objektivat në tokën ruse, tha zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini.
Zyrtarët rusë kanë pohuar se ushtria ukrainase ka përdorur armë të furnizuara nga perëndimi në inkursionin e tyre në rajonin e Kurskut. Disa media perëndimore kanë publikuar kohët e fundit shkrime me pretendime të ngjashme. Një numër i mbështetësve të Kievit gjithashtu kanë dhënë publikisht dritën jeshile për të përdorur armët që ata kanë ofruar në tokën ruse.
Duke folur për median Il Sussidiario, Salvini, i cili është gjithashtu ministër i Infrastrukturës dhe Transportit dhe drejton partinë Lega Nord (Liga e Veriut), tha se “dërgimi i armëve për të goditur dhe vrarë gjithashtu në territorin rus do të ishte një fatkeqësi dhe paradhoma e një konflikti dramatik botëror.”
Zëvendëskryeministri shtoi se partia e tij e krahut të djathtë nuk ka asgjë kundër ofrimit të “ndihmës humanitare dhe ushtarake për t’i dhënë Ukrainës mundësinë për të mbrojtur veten”.
Përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor, Salvini u kërkoi italianëve të mos i lënë partitë e majta të fitojnë, pasi ata, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, do mundësonin perspektivën e një lufte të tretë botërore.