Dy astronautë të NASA-s, të cilët kanë qenë të bllokuar në hapësirë për më shumë se dy muaj, do të kthehen në Tokë në shkurt të vitit 2025 me SpaceX.
NASA njoftoi se anija kozmike Boeing Starliner me të cilën astronautët Sunita Williams dhe Barry Wilmore kishin udhëtuar drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) do të kthehet në Tokë “pa ekuipazh”.
Çifti u nis në një mision tetë-ditor më 5 qershor, por tani do të kalojnë rreth tetë muaj në orbitë. Starliner-i përjetoi probleme gjatë rrugës drejt ISS-së, duke përfshirë rrjedhje të heliumit, i cili shtyn karburantin në sistemin e shtytjes. Disa shtytës gjithashtu nuk funksionuan siç duhet, sipas BBC.
Boeing dhe SpaceX u dhanë kontrata miliarda dollarëshe nga NASA për të ofruar fluturime komerciale hapësinore për astronautët e saj. Kontrata e Boeing ishte me vlerë 4.2 miliardë dollarë, ndërsa SpaceX, i themeluar nga miliarderi Elon Musk, mori 2.6 miliardë dollarë.
Deri tani, SpaceX ka dërguar në hapësirë nëntë fluturime me ekuipazh për NASA-n, si dhe disa misione komerciale, por ky ishte përpjekja e parë e Boeing për një mision me ekuipazh.
Inxhinierët në Boeing dhe NASA kanë kaluar muaj duke u përpjekur të kuptojnë problemet teknike me anijen Starliner.
Ata kanë kryer teste dhe kanë mbledhur të dhëna, si në hapësirë ashtu edhe në Tokë. Shpresa e tyre ishte të përcaktonin shkakun kryesor të problemeve dhe të gjenin një mënyrë për të kthyer astronautët në shtëpi në siguri me Starliner.
Duke folur në një konferencë për shtyp të shtunën, administratori i NASA-s, Bill Nelson, tha se Boeing ka punuar ngushtë me NASA-n për të kuptuar se çfarë përmirësimesh duhet të bëhen në anijen kozmike. “Fluturimi hapësinor është një rrezik, edhe në situatat më të sigurta dhe edhe në ato më rutinore, dhe një fluturim testimi, nga natyra, nuk është as i sigurt dhe as rutinor,” tha ai. “Vlera jonë kryesore është siguria dhe ajo është ylli ynë verior.”
Është marrë vendimi për të zgjatur qëndrimin e çiftit në ISS deri në shkurt të vitit 2025 që ata të mund të kthehen me një anije kozmike SpaceX Crew Dragon. Koha shtesë i lejon SpaceX të lëshojë mjetin e saj të ardhshëm, me ngritjen e planifikuar për në fund të shtatorit. Ishte menduar që të kishte katër astronautë në bord, por do të udhëtojë drejt stacionit hapësinor me dy.
Kjo lë hapësirë për z. Wilmore dhe znj. Williams të bashkohen me ta në mjet për t’u kthyer në Tokë në fund të misionit të saj të planifikuar në shkurtin e ardhshëm.
NASA ka thënë se të dy astronautët kishin kryer më parë dy qëndrime të gjata në hapësirë dhe e kuptonin rreziqet e fluturimit testues, duke përfshirë qëndrimin në bord të stacionit më gjatë se sa ishte planifikuar. Organizata tha se z. Wilmore, 61 vjeç, dhe znj. Williams, 58 vjeç, “plotësisht” mbështesin planet për kthimin e tyre dhe do të kalojnë muajt e ardhshëm duke kryer punë shkencore, mirëmbajtje hapësinore dhe ndoshta duke bërë disa “ecje hapësinore”.
Starliner-i i Boeing kishte qenë i vonuar për disa vite për shkak të pengesave në zhvillimin e anijes kozmike. Fluturimet e mëparshme pa ekuipazh gjithashtu pësuan probleme teknike. Në një deklaratë, Boeing tha se vazhdon të fokusohet “në sigurinë e ekuipazhit dhe anijes kozmike”. “Ne po ekzekutojmë misionin siç është përcaktuar nga NASA dhe po përgatitemi për një kthim të sigurt dhe të suksesshëm pa ekuipazh,” shtoi ajo.