Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ishte “i vendosur të bënte gjithçka për të mbrojtur “, në takimin me kabinetin e tij të sigurisë të dielën, ku kryeministri u zotua “të mbajë një rregull të thjeshtë: kushdo që na lëndon – ne e lëndojmë atë”.
“Këtë mëngjes ne zbuluam përgatitjet e Hezbollahut për të sulmuar Izraelin. Së bashku me Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit, ne udhëzuam IDF-në (Forcat e Mbrojtjes të Izraelit) që të veprojnë në mënyrë proaktive ndaj kërcënimit”, tha ai, sipas The Guardian.
Netanyahu shtoi se IDF që atëherë “po vepronte fuqishëm për të penguar kërcënimet” dhe se forcat “shkatërruan mijëra raketa që synonin veriun e vendit”.
IDF tha se Hezbollahu lëshoi rreth 210 raketa dhe 20 dronë drejt Izraelit verior në sulmin e mëngjesit të sotëm. IDF tha se një pjesë e tyre janë kapur por të tjerat kanë goditur duke shkaktuar dëme dhe lëndime. Shumë raketa goditën gjithashtu zona të hapura.
Hezbollahu libanez në një deklaratë të mëparshme tha se kishte lëshuar “më shumë se 320” raketa Katjusha në Izrael, duke folur për një sulm në shkallë të gjerë të mbështetur nga një “numër i madh dronësh”.
Mediat libaneze raportojnë se lideri i Hezbollahut, Hasan Nasrallah do të mbajë një fjalim publik sot pas përkeqësimit të situatës me Izraelin.